E Diel, 1 Nëntor 2026

Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë, Gjylameti: Po analizohen mostrat e ushqimit dhe ujit

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Pesëdhjetë e gjashtë studentë të Akademisë së Sigurisë u dërguan me urgjencë në spital gjatë orëve të natës, pasi shfaqën simptoma të rënda të dyshuara si pasojë e konsumimit të ushqimit.

Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Blerina Gjylameti deklaroi, në një intervistë sot në një media, se menjëherë pas njoftimit, trupat inspektuese të AKU-së kanë nisur verifikimet dhe kanë marrë mostrat përkatëse të ushqimit dhe ujit të pijshëm.

Sipas Gjylametit, hetimi po zhvillohet në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik, Operatorin Shëndetësor dhe Policinë e Shtetit, ndërsa përgjigjet përfundimtare mbi shkakun e ngjarjes pritet të dalin pas analizimit të mostrave laboratorike, proces që mund të zgjasë deri në 10 ditë.

“Ajo që është e rëndësishme është se të gjitha institucionet ishin në terren për të hetuar nga afër se çfarë kishte ndodhur. U morën mostra nga ushqimi i mbetur, si edhe u inspektua vendi ku gatuhej ushqimi”, u shpreh Gjylameti.

Ajo theksoi se po verifikohen të gjitha kushtet higjieno-sanitare në të cilat përgatitej dhe shpërndahej ushqimi për studentët e Akademisë së Sigurisë.

Lidhur me pamjet që qarkulluan në rrjetet sociale, ku pretendohej se në shishet e uthullës kishte krimba, drejtoresha e AKU-së i cilësoi ato si të pavërteta.

“Për shkak të aciditetit, uthulla nuk mund të ketë gjallesa. Ne e kemi përgënjeshtruar këtë pretendim dhe nuk kemi gjetur asnjë mostër të tillë”, deklaroi Gjylameti, duke bërë thirrje për maturi në shpërndarjen e informacionit për të shmangur panikun te qytetarët.

Sipas saj, fokusi aktual i institucioneve mbetet te zbardhja e plotë e shkaqeve të ngjarjes dhe verifikimi i standardeve të sigurisë ushqimore në kompaninë e kateringut që furnizonte studentët.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›