Ambasada egjiptiane: Fajin e ka Vëllazëria Myslimane. Berisha: Junta puçiste tregoi fytyrën e vërtetë
Ambasada e Egjiptit në Tiranë ka reaguar në lidhje me ngjarjet e fundit në këtë vend.
Në një njoftim për shtyp, ata thonë se fajtorë për situatën e krijuar janë protestuesit e dhunshëm dhe të armatosur të Vëllazërisë Myslimane.
Protestat aktuale janë të karakterizuara nga dhuna dhe mosrespektimi i ligjit. Ne kemi dëshmi të mjaftueshme që dhuna e ushtruar nga protestuesit ka pasur formën e torturave ndaj kundërshtarëve të tyre, si edhe ndaj forcave të rendit. Shumë armatime janë vërejtur dhe dokumentuar, dhe në shumë raste ka pasur plagosje me armë zjarri. Përveç kësaj protestuesit janë bërë pengesë për shërbimet themelore dhe kanë penguar lëvizjen jo vetëm në lagjet përreth, por në të gjithë Kajron, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Ata theksojnë se në Egjipt nuk ka të burgosur politikë, por vetëm të burgosur që kanë kryer vepra penale.
Sipas ambasadës, Vëllazëria Myslimane ka refuzuar takimin e parë për pajtim kombëtar.
Por nuk ndan këtë mendim kryeministri Sali Berisha, që thotë se faji është i juntës ushtarake.
Të dashur miq, dite të zeza për popullin mik egjiptian. Junta ushtarake e Kajros kreu dy ditët e fundit një masakër të vërtetë ndaj protestuesve paqësorë. Kjo masakër, në të cilën u ekzekutuan qindra, e ndofta mijëra protestues, dëshmon fytyrën e vërtetë të juntës puçiste që u instalua në Kajro pas përmbysjes së presidentit të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve egjiptianë. Këto zhvillime tragjike dëshmojnë se bashkëpunëtorët e afërt të Mubarakut po rikthejnë me gjak dhe hekur regjimin e tyre barbar, shkruan Berisha në FB, duke u bërë thirrje ndërkombëtarëve që të gjejnë një zgjidhje për situatën./ep