Ambasada gjermane: Përgëzime Shqipërisë, nisje e suksesshme në Panairin e Berlinit

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Shqipëria mban Vendin e Nderit për vitin 2025 në panairin e turizmit ITB në Berlin, nën sloganin “Albania All Senses”.
Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri përgëzoi sot vendin tonë për nisjen e suksesshme të ITB-së.
“Shqipëria do të prezantohet si vendi kryesor partner nga sot deri të enjten, për tre ditë në panairin më të madh të turizmit në botë”, thekson Ambasada gjermane.
“Jemi të lumtur që mund të ofrojmë mbështetje përmes këshillimit për performancën e përgjithshme, prezantimin e stendës dhe materialeve promovuese. Dhe tani, skena (botërore) e hapur për Shqipërinë në Berlin!!!”, shton Ambasada gjermane.
Në këtë panair, Shqipëria ka një stendë të mrekullueshme prej 800 metrash katrorë, ku ofrohen përvoja interaktive, mundësi për të bashkëpunuar dhe njohur industrinë shqiptare të turizmit.
Deri më datë 6 mars, Shqipëria do të prezantojë trashëgiminë e saj të pasur natyrore e kulturore, panoramë të peizazhit të investimeve në vend si dhe do të shfaqë një show të drejtpërdrejtë gatimi duke zbuluar shije autentike shqiptare.
1 nga 2/r.e/ /a.g/