“Ambasadat në fushatë”, Berisha: Protestë edhe ndaj tyre, “Inceneratori i Tiranës” dërgohet në Strasburg

TIRANË, 13 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha doli në një konferencë me gazetarët duke iu përgjigjur interesit të tyre për disa çështje.
Berisha u shpreh se për inceneratorin e Tiranës, PD do ta ndjekë çështjen deri në Gjykatën e Strasburgut.
“Hapi ynë i radhës përveç qëndrimit politik, ne gjithnjë kemi shpresuar te Strasburgu për këtë çështje, prandaj do t’i ndjekim. Do të bëjmë gjyq publik, do ta marrim dosjen dhe do t’i njohim shqiptarët, do t’u tregojmë fytyrën e vërtetë të këtyre kriminelëve në SPAK, të cilët ndajnë para me vjedhësit dhe me kriminelët. Si mundet ai të mos na japë ne dosjen, që jemi kallëzuesit? Mundet, pasi merr 200 mijë euro apo 300 mijë euro ryshfet”, tha Berisha.
Kryetari i PD-së foli edhe për një tjetër angazhim të partisë që ai drejton, siç është “libri i zi i akteve antiligjore dhe antikushtetuese”.
“Ne ia dolëm, de facto, të sanksionojmë zgjedhjet në Shqipëri. Janë rezolutat më të fuqishme ndërkombëtare, që shpallin se Edi Rama dhe socialistët kanë shndërruar në fasadë procesin zgjedhor”, tha Berisha.
“Ne jemi zotuar se do të mbrojmë votën. Sot vjedhja e votës së tyre është e dënuar në mbarë botën. Ne po krijojmë librin e zi të të gjitha akteve, antiligjore, antikushtetuese”, vijoi ai.
Berisha u shpreh edhe për rolin e ambasadave të Shqipërisë, të cilat sipas tij po angazhohen në fushata zgjedhore.
“Ambasadat janë në një veprimtari elektorale të ethshme. U kërkoj degëve të PD të organizojnë protesta kundër tyre dhe demonstratat më të fuqishme para narkoambasadave të narkorepublikës së Shqipërisë.
Kudo, në çdo shtet, të mobilizojnë gjithë forcën e tyre, të përdorin vezë dhe domate kundër selive dhe punonjësve të ambasadave të implikuar në veprimtari kriminale elektorale, të ndaluar me ligj.”
I pyetur nga gazetarët edhe për protestën e paralajmëruar të 23 dhjetorit, lideri demokrat tha se do të jetë një “skenar shumë i ngjeshur dhe i fortë që do të komunikohet sapo të finalizohet”.
/a.f/r.e/