E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Momenti të kalojmë nga qëndresa tek forca e fitores

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha mblodhi sot Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Duke iu drejtuar anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së, Berisha tha se “ky është momenti që të kalojmë nga momenti i qëndresës në forcën politike të fitores”.

“Kjo mbledhje e Këshillit Kombëtar mblidhet në një moment kthese të madhe, të drejtuesve, anëtarëve, mbështetësve të PD të cilët u dëshmuan në këto kohëra të vështira, mbrojtës të palëkundur të atyre vlerave dhe parimeve që njerëzit e lirë mbrojnë në të gjithë botën, dhe ne e bëmë këtë detyrë”, tha Berisha.

Berisha tha se demokratët qëndruan për vlerat e konservatorëve: familjen, interesin kombëtar, dinjitetin njerëzor, është detyrë, është mision.

“Ky është një moment kthese”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se “kundërshtari kishte arritur të paraqiste në botë një Shqipëri që nuk ekzistonte”.

“Rezoluta janë arritje madhore, kemi bërë një betejë të madhe për votën e lirë dhe sot e kemi sanksionuar në të gjithë spektrin e djathtë se zgjedhjet në Shqipëri janë farsë”, tha Berisha.

“Ne kemi bërë një betejë të madhe për votën e lirë, por sot e kemi sanksionuar në mbarë botën, në spektrin e djathtë se zgjedhjet këtu janë fasadë, se zgjedhjet janë farsë. Zgjedhje të përsosura në aparencë bëjnë diktaturat. Edi Rama nuk bën zgjedhje, Edi Rama bën farsë elektorale”, tha Berisha.

Berisha shtoi më tej se drejtësia është shndërruar në instrument të diktaturës.

“Në asnjë vend kurrë një parti e shtetit ligjor, siç jemi ne, nuk mund të imagjinojë të bëjë betejën me drejtësinë. Ajo bën betejë kur drejtësia shndërrohet në instrument të diktaturës. Po në diktatura, drejtësia është një nga armët kryesore të saj. Na ndodhi një drejtësi dhuratë, me një bujë ndërkombëtare që tejkalon imagjinatën. Një drejtësi e cila u projektua fund e krye nga Xhorxh Sorosi, vetëm për ta dorëzuar atë si degë ekzekutivi te Edi Rama”, tha Berisha. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›