Ambasadorët: Të konsolidohen të drejtat e grave
Diplomatët e huaj në Shqipëri kanë kërkuar konsolidimin e të drejtave të grave në vendin tonë. Përmes një letre të hapur, ambasadorë dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri theksojnë se edhe Shqipëria ka bërë progres në promovimin e të drejtave të grave, në Kodin Penal dhe Kodin Zgjedhor që do të rishikohen nga Parlamenti së shpejti, të adresohen edhe shqetësimet për pjesëmarrjen e gruas në politikë si dhe për dhunën në familje.
Por edhe pse e kanë cilësuar si një hap inkurajues përfshirjen e kuotës gjinore prej 30% në Kodin Zgjedhor, aksesi i grave në pozicione vendimmarrëse si në nivel kombëtar edhe vendor, mbetet i ulët. “Ndërkohë që gratë përfaqësojnë vetëm 16% të deputetëve në parlament, 12.4% të anëtarëve në këshillat bashkiak dhe të komunave si dhe vetëm 7 nga 384 kryetarë të qeverisjes vendore, ato nuk mund të kenë një zë të fortë dhe të sigurojnë që interesat dhe nevojat e tyre të adresohen në mënyrën e duhur. Rishikimi dhe fuqizimi i sistemit ekzistues të kuotës gjinore, në linjë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, duhet të ndihmojë që të garantohet dëgjimi i zërit të grave” thuhet në letrën e mabasadorëve.
Gjithashtu ambasadorët nxisin autoritetet kombëtare që të garantojnë që legjislacioni penal t`i sigurojë mbrojtjen dhe mekanizmat e përshtatshëm ligjor të mbijetuarave të dhunës në familje. Ata shprehen të shqetësuar nga statistikat zyrtare që tregojnë se 17 gra janë vrarë nga bashkëshortët e tyre gjatë vitit të kaluar ndërsa shtojnë se më e rëndësishme është nevoja për të penalizuar si dhunën me bazë gjinore ashtu edhe dhunën në familje.
Ndërkohë Shqipëria ka miratuar Ligjin "Për Barazinë Gjinore në Shoqëri", Ligjin "Për Mbrojtjen nga Diskriminimi", Ligjin për "Masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare" dhe së fundi nënshkrimi i Konventës së Këshillit të Europës "Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje".