E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vozitja e parë


Entela Resuli

Fëmijërinë e tij e ka kaluar duke luajtur në ujërat e rrëmbyera të lumit Osum dhe si i tillë ky pasion e ka shoqëruar gjithë jetën. Është marrë me sportin e rafting kur nuk e dinte se çfarë ishte. Kur iku në Itali në vitet 90, atje pa që, ajo që kishte në qytetin e Beratit, quhej rafting. Nuk ngurroi që aty të trajnohej të bënte kurse të mirëfillta që do ta lejonin që të vinte në Shqipëri së bashku me pajisjet e tij, sigurisht në fillim modest, por aq sa e bënin atë të parin që do të voziste në lumin që buron nga malësia e Vithkuqit. Zamo Spathara tani është presidenti i Shoqatës së Raftingut, e cila është pjesë e federatës me të njëjtin emër. Është i pari që në vitin 1999 së bashku me një grup çunash të qytetit eksploruan pëllumb më pëllëmbë kanionet e Osumit në Skrapar, e më pas morën pas vetes shumë të tjerë. Nisi si një sfidë mes tij dhe natyrës, mes tij dhe kanioneve për të cilat kishte dëgjuar sa e sa legjenda në të cilat nuk duhet të hyjë.

Por hapa pas hapi me një lopatë në dorë dhe gomonen e tij zbulonte një mrekulli para syve, aq sa habitej që pamja që kishte përpara ishte në Shqipëri. Kur fotot e para të fiksuara në aparat ua tregoj miqve në Itali, ata dyshuan që ato pamje ishin të punuara dhe nuk besonin se Shqipëria kishte kanione të tilla. U desh të vinin e ta provonin vetë, të lundronin në ato ujëra, që djalit beratas ti jepnin të drejtë dhe ta inkurajonin në zhvillimin e këtij lloj sporti. Hera e parë për të ishte mbi të gjitha përgjegjësi, pasi kishte marrë me vete dhe tre djem të tjerë që nuk ishin praktikuar si Spathara në Itali. Ata nuk kishin bërë ndonjëherë rafting, por me argumentet që Zamo i kishte rrëfyer dhe me kokëkrisjen e përbashkët e ndërmorën këtë aventurë. Tregon se ishte emocionuese. Nuk e dinim as me çfarë do të përballeshim, pasi nuk njihnim terrenin. Ky sport është një mister. Kur futesh në një lum, ke shumë të papritura, duhet ta njohësh, kjo është adrenaline më e madhe sepse ty të dalin surpriza.

Vetë nisma për tu marrë me këtë lloj sporti ishte edhe një  përballje me miqtë, të afërmit, të cilët duke parë rrezikshmërinë që kishte si sport, nuk ngurronin që ti thoshin Zamos: Nuk ke ndonjë gjë tjetër për të bërë… kur je mirë kështu pse duhet të bësh një sport të tillë!?

Por gjithë këtë e justifikon me pasionin, kënaqësinë që merr. Ai pohon se çdokush përpiqet të lërë gjurmët e veta në këtë udhëtim që ne po bëjmë (jetë). Së bashku më të është bashkuar edhe familja: bashkëshortja, djali dhe dy vajzat. Gjatë sezonit janë të shpeshta fundjavat kur ata shkojnë familjarisht dhe vozisin në lumenjtë e Shqipërisë.

Albania Rafting Grup u vjen në ndihmë edhe atyre që duan të merrem rregullisht me këtë sport, është kthyer edhe një qendër kursesh për të gjithë dhe ata që duan të marrin mësimet bazë për rafting i kanë dyert e hapura dhe çdokush që kalon provimet, mund të pajiset me patentë.

Për këtë sport që tashmë ka 12 vjet që ushtrohet në Shqipëri, Zamo thotë se ka ende për të eksploruar. Në këtë sezon që fillon në mars, kur edhe ujërat janë të bollshëm, do të provohen lumenj të tjerë të Shqipërisë përveç atyre që janë provuar deri më tani siç janë Osumi, Vjosa, Valbona. Madje, këtë vit për herë të parë do të organizohet kampionati kombëtar i raftingut ku do të marrin pjesë garues nga të gjitha trevat shqipfolëse. Po në verë të këtij vit Shqipëria do të marrë pjesë për herë të parë në kampionatin botëror të raftingut që organizohet në Çeki.

Shqipëria për herë të parë në Çeki me Rafting

Flamuri shqiptar do të ngrihet në shtetin çek në verë të këtij viti. Shqipëria do të jetë për herë të parë pjesëmarrëse në këtë eveniment e përfaqësuar nga Zamo Spathara. Ai tregon së përveç eksperiencës disavjeçare në këtë lloj sporti, është duke u stërvitur intensivisht duke premtuar  një përfaqësim të denjë të flamurit tonë në këtë sport.

Terapi antistres

Të bësh rafting është një terapi e mirë antistres. Klientët me të rregullt të këtij sporti janë punonjësit e zyrave, bankave, diplomatët e huaj, deputetët, njerëz që në më të shumtën e kohës lëvizin me makinë dhe nuk kanë mundësi të ecin. Një fundjave për rafting është ideale për të harruar streset e ditës.

Familjarisht në sport të rrezikshëm

Zamo Spathara është baba i tre fëmijëve, dy vajzave e një djali. Nuk ka qenë e vështirë për të të marrë me vete familjen në këtë sport që konsiderohet i rrezikshëm dhe që duhet të respektosh rregullat. Ai tregon se me të ka qenë e thjeshtë për ti bindur, pasi e shikonin si lider dhe dëshironin të bënin veprimet e tij. Sot janë shumë të lumtur që bashkohen në të njëjtat sfida dhe pushimet e tyre nuk janë asnjëherë buzë detit, të qetë duke marrë rreze, por aktivë dhe duke vozitur në ujërat e lumenjve. Kjo familje është mësuar me ritëm…

Në Shqipëri

Albania Rafting Group është e anëtarësuar pranë Federatës Shqiptare të Raftingut dhe e vetmja me një staf të kualifikuar guidash eksperte, të cilat operojnë në bazë të ligjit shqiptar në fuqi, në përputhje me normat ndërkombëtare. Është e vetmja e licencuar për sportin rafting. Në Shqipëri nuk ka shkallë të lartë rrezikshmërie. Ajo varion nga klasa e parë në të katërt në varësi të lumenjve dhe sezonit. Ju duhet të kontaktoni një guidë profesionale dhe të keni gjithë pajisjet e domosdoshme gjatë ushtrimit te tij.

Rafting? Drogë!

Rafting është si puna e drogës, por është drogë natyrela, tregon Blerina Ago, një nga vajzat e para beratase që ka provuar rrezikshmërinë e këtij sport, sot zv.presidentja e Albania Rafting Group. Kjo është këshilla që ne u japim të rinjve duke u thënë mos merrni kot droga artificiale, po hajdeni bëni rafting, pasi është edhe e shëndetshme, është një sport që të vë në lëvizje gjithë muskujt e trupit. Është edhe pak punë mendore, duke menduar se në çformë duhet të vendosësh lopatën që mos të përplasësh, rrëzohesh.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›