Ambasadori Braathu për ATSH: Agjencitë zyrtare të lajmeve mbeten burim kyç i informacionit të verifikueshëm

TIRANË, 23 maj/ATSH-Maela Marini/ Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, ambasadori Jan Braathu, vlerësoi sot rolin kyç të agjencive zyrtare të lajmeve në sigurimin e lajmeve të verifikueshme, në një mjedis mediatik të kërcënuar nga dezinformimi dhe përdorimi jo etik i inteligjencës artificiale.
Në një intervistë ekskluzive për ATSH-në, ambasadori Braathu u ndal tek sfidat me të cilat përballen sot mediet, duke përfshirë sigurinë e gazetarëve, pavarësinë editoriale dhe rreziqet e përdorimit të inteligjencës artificiale.
Në këtë kuadër ambasadori Braathu theksoi rëndësinë e medieve publike dhe nevojën për financim të mjaftueshëm.
Sipas ambasadorit Braathu, në këtë periudhë me buxhete të kufizuara, abonimi në agjenci lajmesh serioze mbetet zgjidhje kyçe për sigurimin e lajmeve të verifikueshme.
“Shumë sinqerisht, në këtë kohë buxhetesh shumë të kufizuara, mendoj që organet e medies kanë nevojë për agjenci lajmesh si e juaja, madje edhe më shumë se aq. Kjo sepse ata nuk mund të përballojnë pasjen e punonjësve të tyre, por megjithatë mund të përballojnë abonimin në agjenci serioze lajmesh që mund të realizojnë raportimin dhe sigurimin e lajmeve të verifikueshme. Ky mendoj se është thelbi, zgjidhja kryesore për sigurimin e lajmit të verifikueshëm”, u shpreh ambasadori Braathu për ATSH-në.
Ambasadori theksoi se kjo është më e nevojshme se kurrë dhe arsyeja përse mbështet shërbimin e medias publike në të gjitha vendet e OSBE-së.
“Besoj se kemi nevojë për pasjen e të paktën një transmetuesi politikisht të paanshëm, të përgjegjshëm në aspektin etik dhe të pavarur editorialisht, që njerëzit të mund t’i besojnë. Do të thoja të njëjtën gjë për një agjenci lajmesh, që duhet të jetë politikisht e pavarur, editorialisht e pavarur dhe e përgjegjshme në aspektin etik. Dhe kjo është e vetmja mënyrë për mbijetesën e gazetarisë”, u shpreh ambasadori Braathu.
Duke folur për sfidat me të cilat përballet media në këtë kohë “tranzicioni dramatik” të inteligjencës artificiale, ambasadori Braathu nënvizoi faktin se “gjykimi njerëzor ka gjithmonë përparësi në gazetari”.
Sipas tij, përdorimi në mënyrë të përgjegjshme i inteligjencës artificiale, në epokën e dezinformimit, nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm sesa sot.
“Në këtë epokë dezinformimi, ne kemi nevojë për medie serioze dhe profesionale”, u shpreh ambasadori Braathu.
Ambasadori foli po ashtu edhe për sfidat më urgjente që duhen adresuar në fushën e medias në Shqipëri në kuadër të përafrimit të vendit me Bashkimin Europian, ku veçoi sigurimin e pavarësisë politike dhe garantimin e një sistemi për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve.
Ai vlerësoi progresin e deritanishëm të Shqipërisë në fushën e medias, ndërsa kërkoi përkushtim për t’u përmirësuar dhe për të përmbushur angazhimet në kuadër të OSBE-së, që sipas tij, përputhen gjithashtu plotësisht me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Më poshtë intervista e plotë e ambasadorit Braathu për ATSH-në:
ATSH: Gjatë vizitës tuaj në Shqipëri ju keni realizuar disa takime me zyrtarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Mund të na thoni se çfarë konkretisht është diskutuar gjatë këtyre takimeve dhe çështjet e trajtuara?
Ambasadori Jan Braathu: Kjo është vizita ime e parë zyrtare si Përfaqësues për Lirinë e Medias këtu në Shqipëri. Fillimi i vizitës sime këtu ishte një konferencë rajonale mediatike për Evropën Juglindore, e cila zgjat dy ditë. Pas kësaj, kam zhvilluar takime me përfaqësues të qeverisë shqiptare, të shoqërisë civile dhe gazetarë. Siç thashë, kjo është vizita ime e parë dhe shërben kryesisht si një mision informues, me qëllim të kuptoj më mirë situatën e medias dhe të gazetarëve në Shqipëri. Natyrisht, kam lexuar gjithashtu raporte të shumta mbi këtë situatë.
Por e dini që gjithmonë është e rëndësishme të takohesh me njerëzit dhe të kesh ndërveprime ballë për ballë. Çështjet që kam ngritur nuk do t’ju befasojnë, duke filluar me sigurinë e gazetarëve, e cila është një prioritet kryesor për zyrën time dhe për mua personalisht, dhe përbën një angazhim të fortë të OSBE-së në lidhje me mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve. Në veçanti, ne kemi një vendim të Këshillit të Ministrave nga viti 2018 mbi sigurinë e gazetarëve, me një sërë rekomandimesh shumë konkrete, dhe unë kam diskutuar për nivelin e zbatimit të atyre rekomandimeve.
Tani, ashtu si e shoh unë situatën, nuk po flasim këtu për revolucion, nuk po flasim për ndryshime brenda natës; po flasim për një proces ndryshimi, një proces përmirësimi. Dhe për këtë jam këtu, për ta inkurajuar këtë proces. Kam diskutuar pjesërisht mbi sigurinë e gazetarëve dhe mekanizmat për mbrojtjen e tyre, prandaj ka qenë e rëndësishme për mua të flas me personin përgjegjës për sigurinë e gazetarëve në Policinë e Shtetit dhe të kuptoj se si po zbatohet në praktikë Urdhri i Policisë së Shtetit i majit 2025. Po ashtu, kam diskutuar me Prokurorin e Përgjithshëm mbi udhëzimin që prokuroria dërgoi një vit më parë, më duket se ishte në tetor 2024, dhe si po zbatohet ai. Pra, ekzistojnë mekanizma specifikë nga prokuroria dhe policia për të vendosur prioritet dhe për të ndjekur sulmet ndaj gazetarëve.
Kam diskutuar gjithashtu për situatën lidhur me ndryshimet e fundit në Kodin Penal, masat shtesë mbrojtëse për gazetarët, gjë që është pozitive, si dhe për dekriminalizimin e pjesshëm të shpifjes për gazetarët, gjë që përbën një fillim të mirë. Megjithatë, ne do të dëshironim të shihnim një dekriminalizim të plotë, por ky është një fillim.
Në lidhje me këtë lindin pyetje mbi atë që qeveria ose parlamenti kanë në plan kur flasin për dekriminalizim të pjesshëm për gazetarët e regjistruar dhe të njohur ligjërisht. Çfarë nënkupton kjo, pasi nuk ekziston ende një sistem regjistrimi për gazetarët, dhe mund t’i pyes se çfarë kanë në mendje. Kuptoj se kjo do të jetë tema që do të trajtohet në aktet nënligjore, ndaj kam ofruar gjithashtu asistencën ligjore të OSBE-së për të siguruar që qeveria të ketë një sistem të bazuar mbi praktikat më të mira. Do të shohim se çfarë do të rezultojë nga kjo.
Kam shprehur shqetësimet e mia mbi mënyrën se si përcaktohet një gazetar dhe çfarë nënkuptohet me “të njohur”, dhe duhet të them se përgjigjet që mora ishin mjaft qetësuese. Nuk ka asnjë qëllim që shteti të vendosë se kush është gazetar, por do të merren parasysh ata që kanë kartë shtypi ose dokument identifikimi nga një gazetë. Megjithatë, kjo do të shqyrtohet më në detaje.
Më pas kam diskutuar gjithashtu çështjen e padive ndaj gazetarëve (slaps) dhe legjislacionin kundër tyre (anti-slapp). Sipas të dhënave tona, të cilat mund të mos jenë plotësisht të sakta, aktualisht në Shqipëri ka 54 raste aktive të padive të tilla. Nuk e di natyrën e këtyre rasteve, por kam pyetur nëse qeveria shqiptare ka në plan të miratojë legjislacion në përputhje me acquis-në e BE-së për vitin 2024 mbi paditë ndërkufitare dhe, përtej kësaj, nëse do të miratojë gjithashtu legjislacion të brendshëm kundër padive, pasi brenda zonës së BE-së mbi 90 për qind e këtyre rasteve janë padi të brendshme. Përgjigjja që mora ishte po, ata planifikojnë t’i zbatojnë të dy masat. Kjo është një çështje me të cilën ata po punojnë, dhe unë e përmenda, duke e bërë të qartë se kjo është një nga shqetësimet e mia.
Gjithashtu, kemi diskutuar mbi pavarësinë e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Kam lexuar raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, si dhe raportin kombëtar, për të parë nëse aty shprehen shqetësime lidhur me pavarësinë e AMA-s. Përshtypja ime fillestare është se AMA po funksionon sipas standardeve të larta dhe në mënyrë mjaft të pavarur, edhe pse ekzistojnë disa shqetësime. Do të duhet ta shikojmë më në detaje, por përshtypja ime fillestare është që ata po kryejnë punën e tyre shumë mirë.
Një tjetër temë lidhur me televizionin publik është gjendja e financave. Ata kanë borxhe të mëdha nga e kaluara. Kam një shqetësim gjithashtu lidhur me burimet financiare: financimi bazohet kryesisht në tarifën e licensës, subvencionin shtetëror dhe të ardhurat e vogla nga reklamat. Dukshëm, subvencioni shtetëror dhe tarifa e licensës nuk janë ndryshuar për më shumë se dhjetë vjet, ndaj kjo duhet të shqyrtohet. Nuk kam marrë ende një qëndrim mbi këtë çështje, por në të gjithë misionin e OSBE-së, jo vetëm këtu në Shqipëri, por edhe në rajonin e OSBE-së, kam theksuar rëndësinë e medieve publike dhe nevojën për financim të mjaftueshëm.
Po ashtu, po aq e rëndësishme është pavarësia editoriale dhe mungesa e ndërhyrjeve politike në punën e transmetuesit publik. Kjo është një çështje që do ta ndjek nga afër dhe do të shohim se si do të evoluojë situata. Mendoj se këto janë temat kryesore.
Po, çështja e aksesit në informacion, sepse Shqipëria ka legjislacion shumë të mirë në këtë fushë, por ankesat që dëgjova nga gazetarët ishin se merr shumë kohë për të marrë informacionin. Këtë temë e ngrita gjithashtu gjatë diskutimeve me autoritetet qeveritare, përfshirë ministrin e Drejtësisë, me të cilin u takova këtë pasdite. Pra, në thelb, mendoj se këto janë çështjet kryesore që mund të përmend. Kam përmendur shqetësimet dhe kemi rënë dakord që do të ndjek këto çështje në periudhën në vijim. Kjo është në thelb situata aktuale.
Siç thashë, u takova me komunitetin e gazetarëve dhe të medieve, ku ekzistonte një mosbesim i fortë ndaj qeverisë dhe institucioneve. Kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri, duhet të them, edhe pse ju jeni shqiptarë dhe ju intereson vetëm Shqipëria; megjithatë, duhet të theksoj se në rajon dhe përtej tij ekziston një mosbesim i gjerë ndaj agjencive qeveritare dhe institucioneve shtetërore.
Gjatë bisedës sime, theksova rëndësinë e ndërtimit të besimit. U informua për një forum dialogu që është zhvilluar nga janar-shkurti i vitit të kaluar deri në shtator, ku raportet e tij janë duke u konsoliduar. Theksova se ky lloj forumi është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe është diçka që e inkurajoj në të gjitha shtetet anëtare të OSBE-së: një forum për dialog midis qeverisë, ministrive, shërbimit të prokurorisë, policisë dhe sistemit gjyqësor, së bashku me gazetarët, në mënyrë që shqetësimet e tyre të ngritën dhe të trajtohen drejtpërdrejt.
Shpresoj që ky forum dialogu të vazhdojë. Dëgjova nga disa gazetarë se ata nuk ishin plotësisht të kënaqur, pasi rekomandimet dhe shqetësimet e tyre nuk janë ndjekur deri tani, por këtë e shoh si një proces që duhet të inkurajohet dhe të përparojë. Mendoj se është shumë e rëndësishme të ketë një dialog në vijim për të adresuar problemet para se ato të bëhen më të mëdha. Në këtë kuadër, këto mund të konsiderohen si temat kryesore të bisedimeve.
Dua të sjell në vëmendje sulmin e zjarrvënies kundër gazetarit Sami Curri në Bulqizë. E kam ngritur këtë çështje. Kam lëshuar një deklaratë pak pas ngjarjes, ku kam vlerësuar reagimin e shpejtë të policisë, ndërkohë që kam shprehur edhe pritshmëritë për një hetim të shpejtë të ngjarjes nga ana e prokurorisë dhe ndjekjen penalisht të personave përgjegjës. Në takimet e djeshme dhe sot e kam ripërmendur këtë rast dhe kjo është një mënyrë komunikimi se unë do ta ndjek këtë rast se si do të zgjidhet në vijim. Është një rast konkret që do ta ndjekim.
ATSH: Inteligjenca artificiale dhe platformat digjitale kanë ndryshuar mënyrën se si prodhohet dhe shpërndahet informacioni duke ndikuar jo pak në besimin e publikut në shumë vende. Në këtë situatë, si mund të ruhet balanca mes luftës kundër dezinformimit dhe mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe sa të rëndësishëm e shikoni rolin e medieve tradicionale, siç janë agjencitë zyrtare të lajmeve?
Ambasadori Braathu: Të gjithë e dimë që sot po jetojmë në një kohë, që do ta quaja tranzicion dramatik dhe nuk mund ta di me siguri se si do të jetë peizazhi i medias, madje edhe në pesë vitet e ardhshme, por është e qartë se po përjetojmë një tranzicion të jashtëzakonshëm. Inteligjenca artificiale është tashmë këtu dhe nuk do të largohet.
Unë i kuptoj përfitimet, ose disa nga përfitimet prej saj, por jam në fakt më tepër i shqetësuar për rreziqet nga inteligjenca artificiale. Kështu, kemi njërën anë, ku pronarët e medieve kërkojnë ta shfrytëzojnë inteligjencën artificiale, madje edhe të ashtuquajturit “njerëz të krijuar nga inteligjenca artificiale”, ose avatarët. Pronarët e medieve kërkojnë të përdorin avatarët në vend të prezantuesve të lajmeve. Në Suedi është një televizion privat, që ka filluar tashmë përdorimin e një avatari për prezantimin e lajmeve sportive. Personalisht nuk më pëlqen.
Shoh gjithashtu që disa organe të medias po e përdorin inteligjencën artificiale për shkrimin dhe përgatitjen e lajmit. Kjo gjithashtu është shumë e rrezikshme, për arsyen e thjeshtë, pasi sistemet komerciale të inteligjencës artificiale i sajojnë gjërat. Këto njihen me termin “haluçinacione”. Por kam ndeshur në studime akademike, që tregojnë një përqindje jashtëzakonisht të lartë, më e lartë se 20% e përdorimit të të ashtuquajturve “haluçinacione”.
Kështu, nëse vijmë në një situatë ku redaksitë e lajmeve fillojnë të përdorin inteligjencën artificiale pa verifikuar, atëherë do të përfundonim me një numër edhe më të madh lajmesh të rreme dhe kjo do të ishte e rrezikshme, veçanërisht në situatën e ditëve të sotme.
“New York Times”, për shembull, ka një rregullore të brendshme mbi përdorimin e inteligjencës artificiale. Pra po e përdorin inteligjencën artificiale. Po e përdorin për sistemimin e informacionit, për shoshitjen e vëllimeve shumë të mëdha të informacionit, nganjëherë për përkthim, herë të tjera për shkrimin e teksteve, që të mund t’i postojnë në rrjetet sociale dhe kanë krijuar një zë, që lexon lajmet. Megjithatë, “New York Times” e ka bërë plotësisht të qartë që elementi njeri nuk mund të zëvendësohet kurrë.
Kështu, gjykimi njerëzor ka gjithmonë përparësi në gazetari. Dhe unë i besoj kësaj. Kështu që mendoj se duhet të punojmë me pronarët e medieve dhe botuesit lidhur me përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale. Por nuk jemi ende në këtë pikë. Disa prej organeve të mëdha të medias në Evropë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada po miratojnë udhëzime të brendshme etike lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale. Por kjo nuk po bëhet nga medie më të vogla, që janë edhe ato që kërkojnë ta përdorin inteligjencën artificiale në mënyrë jo etike dhe kjo është e rrezikshme.
Është edhe një çështje tjetër. Inteligjenca artificiale nuk i krijon lajmet. Janë njerëzit ata që i krijojnë lajmet. Inteligjenca artificiale mund ta organizojë informacionin, që sigurohet nga njerëzit, por nuk del në terren për të realizuar intervista me njerëzit. Kështu që do të kemi gjithmonë nevojë për njerëzit.
Çështja është: a janë të gatshme këto organe të medias që të paguajnë për këtë? Në disa vende po shohim, madje edhe në këtë rajon, ku shumë organe të medias në thelb janë bërë, do të guxoja t’i quaja, burime lajmesh nga Facebook. Ato e shfrytëzojnë informacionin nga Facebook dhe e prezantojnë si lajm. Por ky nuk është lajm. Është thashethem.
Në këtë epokë dezinformimi, ne kemi nevojë për medie serioze, profesionale. Ky është mesazhi që jap kudo që shkoj. Kemi nevojë për medie etike që gazetarët të mund të ndjekin udhëzime etike dhe kemi nevojë për pronarë mediesh dhe botues, të cilët e kuptojnë këtë. Kemi nevojë për autoritete rregullatore, që mund të monitorojnë dhe parandalojnë abuzimet. Por, për shembull, sa i takon lajmit të rremë, nuk kanë mbetur shumë gjëra për të thënë rreth tij. Megjithatë, lajmi i rremë vazhdon të ekzistojë dhe për këtë nevojiten Këshillat e Shtypit, nevojiten regjime vetërregulluese. Mendoj se gazetarët dhe organizatat e gazetarëve duhet të punojnë së bashku.
E di që në Shqipëri, për shembull, media është e polarizuar; keni PS dhe PD (Partia Socialiste dhe Partia Demokratike). Por në fund të ditës, gazetarët janë njëlloj të kërcënuar nga këto transformime të mëdha shoqërore dhe kanë nevojë të punojnë së bashku. E nxis këtë, ndonëse e di që është e vështirë.
Cila është e ardhmja e agjencive të lajmeve? Vërtet që s’e di këtë, por di që edhe agjencia novergjeze e lajmeve, NTB është po ashtu në një fazë tranzicioni. Agjencia NTB nuk është më e madhe siç ishte dikur, por megjithatë po gjen mënyra për t’u përshtatur dhe mendoj që të gjitha agjencitë e lajmeve duhet të mësojnë nga njëra-tjetra për të kuptuar se si mund të përshtaten. Për asnjërin prej nesh nuk ka një mënyrë që të shpëtojmë nga rrjetet sociale. Na pëlqen, ose jo, njerëzit sot janë më të prirur të përdorin rrjetet sociale. Por kjo s’do të thotë domosdoshmërisht që lajmi në rrjetet sociale është i keq, pasi po shohim organe serioze të medias që i transmetojnë apo i publikojnë lajmet e tyre përmes platformave të rrjeteve sociale. Pra e gjitha ka të bëjë me mënyrën se si i përdorim rrjetet sociale dhe mendoj se duhet të përshtatemi me këtë.
Shumë sinqerisht, në këtë kohë buxhetesh shumë të kufizuara, mendoj që organet e medias kanë nevojë për agjenci lajmesh si e juaja, madje edhe më shumë se aq. Kjo sepse ata nuk mund të përballojnë pasjen e punonjësve të tyre, por megjithatë mund të përballojnë abonimin në agjenci serioze lajmesh që mund të realizojnë raportimin dhe sigurimin e lajmeve të verifikueshme. Ky mendoj se është thelbi, zgjidhja kryesore për sigurimin e lajmit të verifikueshëm.
Kjo është më e nevojshme se kurrë dhe kjo është arsyeja përse unë mbështes shërbimin e medias publike në të gjitha vendet e OSBE-së, pasi besoj se kemi nevojë për pasjen e të paktën një transmetuesi politikisht i paanshëm, të përgjegjshëm në aspektin etik dhe të pavarur editorialisht, që njerëzit të mund t’i besojnë.
Do të thoja të njëjtën gjë për një agjenci lajmesh, që duhet të jetë politikisht e pavarur, editorialisht e pavarur dhe e përgjegjshme në aspektin etik. Dhe kjo është e vetmja mënyrë për mbijetesën e gazetarisë.
Po ashtu përballemi me gjendjen ekonomike. Mendoj se është një periudhë shumë e vështirë tranzitore. Ajo që shoh në shumë vende është se tregu për gazetarinë serioze sot është shumë më i vogël se më parë. Dhe sigurisht një vend si Shqipëria me rreth tre milionë banorë, apo më pak, është një treg i vogël. Por si do të mund të gjenerohen të ardhura nga reklama? Kjo është sfidë e vërtetë.
Këtu ka një rol edhe për shtetin. Nuk e di se si është situata këtu në Shqipëri, por në Norvegji shteti akordon financime përmes një agjencie të pavarur në bazë kriteresh shumë të qarta. Shumë vende kanë një sistem të tillë, ku shteti jep mbështetje, pasi shteti e kupton nevojën për një media, ku njerëzit mund të gjejnë informacione dhe lajme të besueshme.
Kjo është ajo që mund të them për inteligjencën artificiale, që duhet të përdoret në mënyrë të përgjegjshme. Mendoj se në epokën e dezinformimit, kjo s’ka qenë kurrë më rëndësishme se sa sot. Ne kemi nevojë për gazetarë, të cilët dalin në terren për të raportuar lajme dhe siguruar informacione të verifikueshme. Kjo është qasja ime dhe shpresoj që edhe të tjerët mendonjë të njëjtën gjë, në mënyrë që media të mund t’i mbijetojë kësaj periudhe.
ATSH: Zoti ambasador, ndërkohë që Shqipëria po avancon në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, sipas jush, cilat janë sfidat urgjente që duhen adresuar në fushën e medias?
Ambasadori Braathu: Mendoj se sfidat më urgjente janë ato të sigurimit të pavarësisë politike dhe një mjedis mediatik pluralist. Një çështje tjetër që gjithashtu e diskutuam me zyrtarët e qeverisë është pronësia e medias, bërja e qartë se kush është pronari i një medieje dhe kush është përgjegjës për median. Qeveria juaj ka ndërmarrë disa hapa në këtë aspekt dhe mendoj se kjo është gjë e mirë. Mendoj gjithashtu se qeveria po planifikon të bëjë edhe më tepër sa i takon qartësisë lidhur me pronësinë e medias, sigurimin e medias pluraliste dhe garantimin e një sistemi për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve. Dhe konstatoj se po bëhet punë në të tri fushat.
Siç e përmenda më lart, ky është një proces dhe gjithçka duhet të shkojë hap pas hapi në të gjitha vendet e OSBE-së. Meqë ra fjala, ekzistojnë çështje të ngjashme sa i takon temave të lidhura me mediet edhe në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Pra nuk është se çdo gjë është keq në Shqipëri dhe çdo gjë është e përsosur në ndonjë vend tjetër.
Gjithçka ka të bëjë me ecjen përpara, me ndryshimin apo përshtatjen me ndryshimet që shohim sot në mjedisin mediatik. Do të theksoja gjithashtu edhe rëndësinë e shërbimit të transmetuesit publik.
Kjo është e rëndësishme. Ka çështje që do t’i ndjek. Shoh progres. Shoh që Shqipëria po bën hapa përpara. E përsëris, asgjë nuk është e përsosur në këtë botë dhe gjithçka ka të bëjë me hedhjen e hapave të njëpasnjëshëm dhe me përkushtimin për t’u përmirësuar. Kjo është e gjitha ajo çfarë kërkoj.
Kërkoj përkushtim për t’u përmirësuar dhe përkushtim në përmbushjen e angazhimeve në kuadër të OSBE-së, që përputhen gjithashtu plotësisht me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Unë do të ofroj mbështetjen e zyrës time dhe të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Ju faleminderit!
1 nga 2/u.sh/s.m/r.e/a.f/