Berisha konfirmohet në krye të PD-së: U votua për një parti të ripërtërirë

TIRANË, 23 maj/ATSH/ Partia Demokratike ka përmbyllur sot procesin e referendumit të brendshëm për rikonfirmimin e kryetarit të saj, ku anëtarësia ka votuar pro vijimit të drejtimit të partisë nga Sali Berisha.
Kryetarja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, Albana Vokshi bëri të ditur se Berisha është konfirmuar në krye të PD-së me 37 341 vota.
Në një deklaratë, Vokshi u shpreh se kanë votuar 39,441 demokratë, ndërsa Sali Berisha është konfirmuar në detyrë me 37,341.
Vokshi i shpreh se “përmes një procesi transparent, të rregullt, të qetë, të monitoruar gjerësisht nga media, pa asnjë pengesë për të, si dhe të karakterizuar nga një pjesëmarrje masive e anëtarëve të Partisë Demokratike”.
“.Nga përpunimi i të dhënave paraprake, pra kontaktet që kemi pasur me degët, 77 degët e Partisë Demokratike, ku votuan në 87 qendra votimi, nga rezultatet paraprake pra të procesit, kemi si më poshtë vijon. Numri total i votave të numëruara pra, numri total i pjesëmarrësve është 39,441. Nga këto, rezulton, vota të vlefshme 38,902 dhe të pavlefshme 539”, bëri me dije Vokahi.
Sipas saj, 1,055 rezultuan vota kundër dhe 506 abstenim.
Pas shpalljes së rezultatit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediet, falënderoi anëtarët dhe komisionerët për pjesëmarrjen në proces, të cilin e cilësoi si një proces shembullor të organizuar në të gjitha degët e partisë në vend.
Berisha shprehu mirënjohje edhe për demokratët që votuan kundër ose abstenuan, duke theksuar se vota e tyre do të merret në konsideratë si reflektim për përmirësimin e mëtejshëm të drejtimit politik të partisë.
Berisha tha se ky është votimi më i rëndësishëm për të që nga shtatori i vitit 1991 e deri më sot, ndërsa e cilësoi rezultatin si një votëbesim për vijimin e betejës politike të opozitës.
“Ky është një besim i madh i të gjithë ju që morët pjesë sot në votim, në forcën, në vizionin, në vendosmërinë e PD për të përmbysur diktaturën e dytë në Shqipëri. Me votën tuaj ju keni lënë pa gjumë organizatën kriminale dhe kreun e saj. Keni lënë pa gjumë kartelet e drogës dhe lidhjet e tyre me qeverinë. Keni lënë pa gjumë mafien e tmerrshme të fjalës së lirë, e cila ka dy muaj që në një agresion mediatik të paparë bën gjithçka të përbaltë këtë proces më të fuqishmin që ka njohur PD në tërë ekzistencën e saj”, tha ai.
Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se procesi i referendumit e ka nxjerrë Partinë Demokratike “më të fortë se kurrë”, duke shtuar se opozita do të vijojë aksionin politik përballë qeverisë.
“Bënë gjithçka t’ju mashtrojnë, t’ju dekurajojnë. Bënë gjithçka në zbatim të porosive të kreut të narkoshtetit. Garantoj se lufta jonë është absolutisht e pakompromis, se fitorja jonë është e pashmangshme. Por ja ku jemi. Me votën tonë, siç votuam të lirë sot, do votojnë shqiptarët nesër. Ky është betimi ynë!”, deklaroi Berisha.
Procesi i votimit u zhvillua gjatë gjithë ditës në degët e Partisë Demokratike në të gjithë vendin.
/r.e/