E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ambasadori Italian takon kreun e KLSH: Rol me rëndësi në integrimin evropian

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, së bashku me drejtuesin e lartë të Guardia Di Finanza, Giampiero Carrieri, zhvilluan sot një takim me kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu.

Gjatë takimit, Ambasadori Alberti shprehu vlerësimin për punën e kryer nga KLSH në fushën e kontrollit financiar të institucioneve shtetërore. Ai theksoi se bashkëpunimi mes institucioneve shqiptare dhe atyre italiane do të intensifikohet së shpejti.

Ambasadori Alberti e cilësoi rolin e KLSH-së si themelor në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. “Ju, zoti Kryetar, zini një vend delikat në strukturën dhe arkitekturën e shtetit, mbi të gjitha në dimensionin e negociatave për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku transparenca, rregullsia, saktësia, përgjegjshmëria dhe sistemi i llogarive publike luajnë një rol thelbësor”, u shpreh Alberti.

Kreu i KLSH-së, Arben Shehu, falënderoi Ambasadorin Alberti për vizitën dhe vlerësimin.

Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit midis dy vendeve në sektorin e hetimit financiar të institucioneve publike, duke e konsideruar atë thelbësor për forcimin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri. Ambasadori ka konfirmuar nisjen e bashkëpunimit brenda disa muajsh, mes KLSH-së dhe institucioneve të rëndësishme akademike të hetimit financiar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›