E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori Sadiku ia dorëzon kredencialet Mesiçit

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Valdet Sadiku, ia ka dorëzuar letrat kredenciale presidentit kroat, Stjepan Mesiç.

“Ambasadori Sadiku i përcolli Presidentit Mesiç përshëndetjet e Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrit Hashim Thaci, mirënjohjen e institucioneve dhe popullit të Kosovës për mbështetjen që Republika e Kroacisë i ka dhënë Kosovës në vazhdimësi gjatë përpjekjeve dhe sakrificave të popullit të Kosovës për krijimin e shtetit të pavarur”, thuhet në një komunikatë shtypi, të lëshuar nga Ministria e Jashtme e Kosovës.

Ambasadori Sadiku siguroi Presidentin Mesiç për vullnetin dhe qëllimin e popullit dhe Qeverisë së Kosovës që marrëdhëniet bilaterale dhe komunikimet në fushën ekonomike dhe kulturore mes dy vendeve të forcohen edhe më shumë, thekson komunikata.

Nga ana e tij, Presidenti Mesiç bëhet e ditur se ka ritheksuar përkushtimin e Kroacisë për ta ndihmuar Kosovën. Ai gjithashtu ka shprehur bindjen e tij se përkundër faktit që mandati i tij do të përfundojë së shpejti, "kryetari i ardhshëm i Kroacisë nuk do ta ndryshojë politikën e ndërtimit të marrëdhënieve të mira me Kosovën dhe forcimin e stabilitetit në rajon".

“Kosova si shtet i ri i porsakrijuar është në zhvillim të hovshëm, është në përpjekje për t'u bërë pjesë përbërëse e organizmave euroatlantike”, ka thënë gjatë ceremonisë së dorëzimit të kredencialeve ambasadori Sadiku.

Ai ka shtuar se për t’ia arritur këtij qëllimi ka nevojë për përkrahjen e të gjitha vendeve demokratike që ndajnë këto vlera posaçërisht për përkrahjen e çmueshme të Kroacisë, e cila ka kaluar po të njëjtën rrugë të pavarësimit dhe integrimit euroatlantik në një të kaluar jo të largët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›