E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: S’do të ketë zgjedhje të parakohshme

Kryeministri Hashim Thaçi thotë se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në vjeshtë të vitit 2011, duke respektuar afatet kushtetuese dhe ligjore. Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, sipas tij, po trumbetohet më së shumti nga opozita.

Në një intervistë për KosovaPress, shefi i Qeverisë ka theksuar se do të respektohet afati kushtetues dhe ligjor, që nënkupton zgjedhje në vjeshtën e vitit 2011 dhe se nga ky qëndrim, nuk e lëvizin madje as deklarimet e ambasadorit amerikan Christopher Dell, i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve në pranverën e vitit 2010.

“Duhet të respektohet hapësira demokratike, rregulla demokratike, kushtetuta, ligjet dhe vullneti i spektrit politik. Vullneti i spektrit politik dhe partnerëve është që të kemi forcim të shtetit të Kosovës dhe jo eksperimentim”, është shprehur Thaçi.

Megjithëse e ka vlerësuar si të suksesshme punën e kabinetit qeveritar, ai nuk e përjashton mundësinë e “rifreskimeve” në të ardhmen, me qëllim të rritjes, sikur është shprehur ai, të përgjegjësisë së punës së institucioneve.

Sipas kreut të Ekzekutivit, 2009-ta ka qenë vit i qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, luftës së pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe i anëtarësimit të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Ndërsa si prioritete kryesore për vitin që po hyjmë, kryeministri Thaçi përmend luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ngritjes së mirëqenies sociale etj.

“Prioritetet e Qeverisë së Kosovës për periudhën e ardhshme është vazhdimësia e qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, të luftës së pa kompromis të krimit të organizuar dhe korrupsionit, të anëtarësimit të Kosovës në institucionet tjera ndërkombëtare, e përfitimit të opinionit pozitiv nga GJND-ja, vazhdimit të njohjeve edhe më të fuqishme ndërkombëtare, i krijimit të vendeve të reja të punës, i rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve dhe i investimeve të gjithanshme në republikën e Kosovës, qoftë në aspektin e infrastrukturës, reformat demokratike duhet vazhduar, sidomos në legjislacion, ekonomi dhe politikë”.

Derisa në vitin 2008, Kosova ka pasur një rritje prej 5.4 për qind, sivjet rritja vlerësohet rreth 5 për qind, Thaçi beson se ky trend pozitiv i rritjes së zhvillimit ekonomik të vazhdojë edhe më 2010.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›