E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori Tarran leksion me studentët durrsakë për parandalimin e dhunës me bazë gjinore

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore ambasadori i OSBE-së Michel Tarran vizitoi Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Gjatë vizitës, Tarran u takua me rektorin e universitetit, prof. dr. Shkëlqim Fortuzi me të cilin biseduan për të forcuar bashkëpunimin për fuqizimin e të rinjve për një shoqëri më të sigurt.

Ambasadori Tarran zhvilloi gjithashtu një leksion të hapur për sigurinë digjitale dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore.

30 studentët pjesëmarrës morën njohuri praktike mbi sigurinë digjitale, sjelljen e përgjegjshme online dhe parandalimin e hershëm të dhunës me bazë gjinore në internet.

“16 Ditët e Aktivizmit” është një fushatë e përvitshme që nis në 25 nëntor, Dita Ndërkombëtare e Eliminimit të Dhunës ndaj Grave dhe vazhdon deri në 10 dhjetor, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Në vitin 2025 kjo fushatë ka në fokus misionin për t’i dhënë fund dhunës digjitale kundër të gjitha grave dhe vajzave, një nga format e dhunës me zhvillim më të shpejtë në të gjithë botën.

Dhuna digjitale përfshin ngacmimin, përndjekjen, dezinformimin, montazhet digjitale të rreme dhe shpërndarjen e fotove intimeve pa marrje pëlqimi, përmes internetit, të gjitha këto dukuri në rritje të ndjeshme me zhvillimin e teknologjisë.

1 nga 4

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›