Ambasadori gjerman mesazh KLP-së: Mbani kursin e SPAK, votoni vetëm për integritet

Ndërsa mandati i kreut aktual të Prokurorisë së Posaçme po shkon drejt fundit, diplomacia ndërkombëtare ka dhënë sinjalet e para të qarta për procesin e zëvendësimit të tij. Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, gjatë një takimi të zhvilluar të mërkurën me Kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Mirela Bogdani, kërkoi garanci se pasuesi i Altin Dumanit do të zgjidhet pa ndikime dhe vetëm mbi baza meritokracie.
Në bisedën me anëtarët e qeverisë së prokurorëve, diplomati gjerman e vuri theksin te domosdoshmëria e ruajtjes së standardit të vendosur deri më tani nga SPAK.
Ambasadori Bergner nuk i kurseu vlerësimet për punën e bërë nën drejtimin e kreut aktual, duke e cilësuar atë si një periudhë suksesi në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në nivele të larta.
“Nën drejtimin e Altin Dumanit SPAK ka arritur suksese jashtëzakonisht të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit të të gjitha niveleve dhe krimit të organizuar. Është e rëndësishme që të vazhdojë të mbahet ky kurs,” deklaroi ambasadori, sipas një njoftimi të shpërndarë nga ambasada gjermane në Tiranë në rrjetet sociale, duke publikuar edhe një foto nga takimi.
Pika më kryesore e diskutimit ishte procedura e ardhshme e votimit për kreun e ri. Bergner u bëri thirrje anëtarëve të KLP-së që të tregojnë përgjegjshmëri të lartë dhe të mos ndikohen nga faktorë të jashtëm në vendimmarrjen e tyre.
“Ne kemi besim se zgjedhja e ardhshme do të zhvillohet në mënyrë transparente dhe se çdo anëtar i KLP-së do të orientohet në vendimin e tij vetëm prej përgatitjes profesionale të kandidatëve dhe integritetit të tyre të padiskutueshëm,” nëvizoi ai.
Përtej çështjes së SPAK, ambasadori vlerësoi punën e KLP-së në ruajtjen e pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të ushtrojnë detyrat me vetëdije të plotë institucionale.
/rtsh.al/