E Diel, 1 Nëntor 2026

Fest 64 në RTSH-Grupi LYNX tregon si lindi kënga “Nuk kthehem pas”: E mbanim në sirtar prej kohësh


Grupi LYNX i cili do të garojë me këngën “Nuk kthehem pas” në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar kanë rrëfyer detajet në emisionin “Në Kohë Reale” se si lindi kënga e tyre.

Grupi i cili përbëhet nga kitaristi Aurel Gjini, vokalisti Mario Mançelli, bateristi Eno Gjoni dhe në bas Aleksandro Braho treguan se si ky grup u gjend me njëri-tjetrin dhe u bë bashkë.

“Përmes mesazhe në Instagram, me sa kam kuptuar, më ka parë Aureli për Live të tjera që kam pasur dhe i ka ardhur ftesa nga ai”, u shpreh vokalisti Marion Mançelli.

Nga ana e tij kitaristi Aurel Gjini tha se “që në momentin që kam ndjekur Marion nëpër rrjete sociale, televizion, apo kompeticione që ka marrë pjesë më ka pëlqyer vokali i tij”.

“Ka qenë një kimi, nuk është kemi bërë prova të atilla. Pëlqimi ka qenë i anasjelltë dhe hyrja në grup ka qenë direkt”, tha Aureli teksa iu referuar përzgjedhjes së Marios si vokalist të grupit.

Sa i përket punimit të këngës grupi shpjegoi se kënga ka qenë në sirtar prej vitesh ndërsa është nxjerrë së fundmi për t’u punuar dhe për ta sjellë për publikun.

“Kënga ka qenë në sirtar për një farë kohe. E kemi nisur bashkë me Aurelin dhe pas kaq kohësh që u rimblodhëm sërish thamë pse ta provojmë të gjithë bashkë, dhe e rikonstruktuam në këtë formë që është sot”, tha bateristi Eno Gjoni, ndërsa Aureli shpjegoi më tej se “ishte ideja të sillnim një këngë të re patjetër dhe gjëja që bëmë në fillim ishte; çfarë kemi në mendje të bëjmë, çfarë mund të kemi një frymëzim dhe hapëm pak arkivat çfarë kemi diçka që nuk kemi shpalosur dhe kjo na u duk si më e përshtatshme”.

“Në fillim vetëm e kemi nisur që ta bëjmë dhe pastaj rastisi edhe pjesa e aplikimeve për në Festival dhe thamë pse jo të marrim pjesë në Festival”, theksoi më tej Aureli.

Sa i përket tekstit vokalisti Mario Mançelli tha se teksti ishte “spontan dhe ka ardhur brenda natës. Mua për vete më erdhi për një frymë, pra, ka dalë me një frymë. Por ama kanë qenë dy përpunime, që një tekst bashkë me vijën melodike në fillim dhe përfundimi i tanishëm, që ka pasur disa ndryshime, por më shumë ndryshimi i fjalëve se sa i kontekstit. Konteksti ishte; mos ta vrasim mendjen për çfarë ka kaluar. Nuk ia vlen ta vrasim mendjen për to”.


/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›