Ambasadori grek në Tiranë kërkon falje për skandalin: Autorët do të ndëshkohen Flamuri i Greqisë

Pas reagimit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta në lidhje me incidentin e disa prej anëtarëve të forcave të armatosura greke të cilët kanë hedhur slogane fyese, ekstremiste dhe ksenofobe kundër shqiptarëve dhe popujve të tjerë fqinj, Ambasadori i Republikës së Greqisë, Nikolaos Pazios, i ka konfirmuar z.Meta vendosmërinë e qeverisë greke për të dënuar skandalin dhe ndëshkimin e ashpër të autorëve. Ambasadori Pazios i ka shprehur ministrit të Jashtëm shqiptar “ndjesën e qeverisë greke për ç`ka ka ndodhur dhe e ka siguruar se autoritetet kompetente greke do t`i shkojnë hetimit të këtij incidenti deri në fund, duke ndëshkuar edhe autorët e tij”. Nga ana e tij, Meta pasi ka vlerësuar reagimin e menjëhershëm e të vendosur të qeverisë greke, ka theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve tanë do të vazhdojnë të përparojnë dhe të forcohen më tej.