E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ambasadori holandez rrëfen finale e 25 majit

Shqipëria mirëpret më 25 maj 2022 finalen e parë të Ligës së Konferencës dhe për Ambasadorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë, Reinout Vos, këto javë kanë qenë intensive.

 “Përgatitjet po shkojnë mirë, edhe pse ne na u desh t’i nisnim ato vonë, për shkak se finalistet u mësuan vetëm pak javë më parë. Kemi punuar me një numër aktorësh, me qytetin e Tiranës, me qytetin e Roterdamit, kolegët italianë, Ministrinë e Punëve të Jashtme këtu, Ministrinë e Punëve të Jashtme të vendit tim, me UEFA-n, me Federatën Shqiptare të Futbollit, me 3 Policitë, në Tiranë, në Roterdam, por edhe në Romë. Pra, është një sfidë që të punosh me të gjithë këta së bashku, por, të gjithë jemi shumë të përkushtuar dhe do ta bëjmë këtë realitet”.

Në një intervistë ekskluzive për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, diplomati holandez zbulon numrin e tifozëve holandezë që pritet të zbarkojnë në Tiranë, ndërsa beson se ata nuk do të shkaktojnë trazira. 

 “Nuk e dimë saktësisht, por një përllogaritje në vija të trasha është rreth 10,000. Ata nuk pritet të krijojnë trazira. Sigurisht, në të shkuarën kanë ndodhur gjëra që janë për të ardhur keq, por prandaj po punojmë që të sigurohemi që gjithçka të shkojë mirë për këtë eveniment sportiv dhe ky është synimi ynë”.

Duke konfirmuar që kryetari i Bashkisë së Roterdamit do të vijë ta ndjekë ndeshjen në Tiranë, ambasadori Vos beson se kjo ndeshje finale ka rritur ekspozimin e Shqipërisë në Holandë.

“Mendoj se interesi për Shqipërinë është rritur tanimë. Ne ishim me fat, sepse gjatë dimrit të shkuar, por për 10 të shtuna në mbrëmje, 3 milionë holandezë e panë Shqipërinë në TV në sfondin e një seriali shumë popullor televiziv. Pra, holandezët u familjarizuan me vendin tuaj dhe kjo ndeshje është padyshim një mundësi e jashtëzakonshme për më shumë holandezë që ta njohin dhe ta prekin vetë Shqipërinë dhe Tiranën”.

Për këtë arsye, ai e sheh finalen si një mundësi të mirë për promovimin e Tiranës.

“Po, po, sigurisht… Unë besoj se do të kemi media të shumta holandeze që do të vijnë këtu dhe ato nuk do të vijnë vetëm për ndeshjen, por do të lëvizin edhe nëpër qytet dhe prandaj që do të jetë një vitrinë e mirë edhe për Tiranën, këtë qytet që ka ndryshuar kaq, kaq shumë që nga koha kur Fejënordi luajti këtu për herë të fundit. Jam i sigurt, të kur të bëjnë krahasimin, mediat do të mbeten të shtangur dhe ky është një promovim i jashtëzakonshëm për qytetin, jam i sigurt”.

Ambasadori holandez është rikthyer madje 31 vite prapa, kur Fejënordi u ndesh në ish-Kupën e Kupave me Partizanin, duke rrëfyer edhe disa detaje interesante.

 “Ekziston në fakt një dokumentar për vizitën e Fejënordit në Tiranë për ndeshjen me Partizanin në vitin 1991, që ishte në fakt një vit i veçantë për vendin tuaj. E veçanta është që se atyre u la mbresa gjendja e Shqipërisë në atë vit, kur regjimi po ndryshonte. Dhe, kur u kthyen në Roterdam, lojtarët thanë që duhet të bëjmë diçka, për grumbulluar dhe për të dërguar veshmbathje e ndihma në Shqipëri, prandaj ishte një përvojë e mrekullueshme në atë kuptim. Në fund, ndeshja u mbyll në barazim 0-0 dhe kjo ishte falë portierit të Partizanit, Artur Lekbello, që e mbrojti aq mirë portën, sa nuk la të kalonte asnjë top”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›