E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i Azerbajxhanit shpërndan ndihma në Elbasan në kuadër të Kurban Bajramit

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Në një atmosferë solidariteti dhe humanizmi, ambasadori i Republikës së Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Huseynov, zhvilloi një aktivitet bamirësie në shkollën “Zëra Jete” në Elbasan, ku u shpërndanë ndihma dhe dhurata me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Aktiviteti u organizua nga Ambasada e Azerbajxhanit në Shqipëri, me mbështetjen dhe koordinimin e organizatës “Women Center for Development and Culture”, në bashkëpunim me shkollën “Zëra Jete”.

Ky aktivitet kishte për qëllim përcjelljen e frymës së solidaritetit, mëshirës dhe mbështetjes për fëmijët dhe familjet në nevojë, vlera që përfaqësojnë thelbin e festës së Kurban Bajramit.

Gjatë vizitës, ambasadori Huseynov u njoh nga afër me përkushtimin e stafit pedagogjik dhe sfidat e përditshme me të cilat përballen fëmijët me nevoja të veçanta dhe familjet e tyre.

Në fjalën e tij, ambasadori theksoi rëndësinë e mbështetjes sociale dhe humanitare, duke nënvizuar se solidariteti dhe kujdesi ndaj fëmijëve janë vlera universale që bashkojnë popujt dhe kulturat.

Ambasadori u prit nga drejtoresha e shkollës, Rezarta Biçoku, e cila falënderoi Ambasadën e Azerbajxhanit në Shqipëri për këtë kontribut të çmuar në mbështetje të fëmijëve dhe familjeve në nevojë me rastin e Kurban Bajramit.

Në aktivitet morën pjesë edhe kryetari i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar, Dr. Arben Ramkaj, drejtoresha ekzekutive e organizatës “Qendra Shqiptare për Integrimin e Njerëzve me Nevoja të Veçanta”, Farma Spahiu, si dhe prindër, përfaqësues institucionesh dhe të ftuar të tjerë.

Ceremonia u hap me himnet kombëtare të Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, ndërsa aktiviteti u prit me emocion dhe mirënjohje nga fëmijët, prindërit dhe stafi i shkollës, duke sjellë një mesazh të bukur humanizmi dhe bashkëpunimi në prag të festës së Kurban Bajramit.

1 nga 4

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›