E Diel, 1 Nëntor 2026

Aplikimet për subvencione, AZHBR takim informues me fermerët në Berat

TIRANË, 22 maj /ATSH/ Aplikimet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes 2026 do të hapen së shpejti, ndërsa takimet informuese që po zhvillohen në të gjithë vendin synojnë informimin e saktë të fermerëve mbi kriteret, dokumentacionin dhe procedurat për një aplikim korrekt për të përfituar nga masat mbështetëse.

Në këtë kuadër, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural zhvilloi sot një takim informues me fermerët në Berat për Skemën Kombëtare të Mbështetjes 2026.

Drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi tha se, gjatë takimit specialistët e AZHBR-së dhanë shpjegime teknike mbi procedurat dhe kriteret e aplikimit, si edhe mbi dokumentacionin e nevojshëm për përfitimin nga masat mbështetëse të skemës.

Në fokus të bashkëbisedimit ishte informimi mbi kushtet e përfitimit dhe mundësitë që ofron Skema Kombëtare 2026 për zhvillimin e fermave dhe rritjen e konkurrueshmërisë në sektorin bujqësor.

Sipas AZHBR-së, Skema Kombëtare 2026 përfshin 9 masa direkte dhe 3 masa investimesh, të orientuara drejt uljes së kostove të prodhimit dhe mbështetjes së fermerëve në të gjithë vendin.

Skema është hartuar pas konsultimeve me fermerët në të gjithë vendin dhe bazohet në nevojat reale të sektorit, duke kombinuar grantet për investime me pagesat direkte për fermerët. Me një buxhet fillestar prej 5,2 miliardë lekësh, skema synon të afrojë instrumentet e mbështetjes me standardet e Bashkimit Europian, përmes rritjes së pagesave direkte, mbështetjes për blegtorinë, sipërfaqet e mbjella, investimet, certifikimin, mekanizimin dhe formalizimin e sektorit bujqësor.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›