Ambasadori i SHBA-së në Turqi: Konflikti Izrael-Iran, riformëson Lindja e Mesme

Ambasadori i SHBA-së në Turqi, Tom Barrack ka deklaruar se konflikti i vazhdueshëm midis Iranit dhe Izraelit paraqet një mundësi për të riformësuar Lindjen e Mesme, me Turqinë që luan një rol qendror në të ardhmen e rajonit.
“Ajo që sapo ndodhi midis Izraelit dhe Iranit është një mundësi për të gjithë ne të themi: ‘Time out. Le të krijojmë një rrugë të re. Turqia është çelësi në atë rrugë të re”, tha Barrack për agjencinë shtetërore të lajmeve ‘Anadolu’ të Turqisë.
Duke e përshkruar rajonin si gati për një dialog të ri, Barrack tha se armiqësitë e gjata duhet të rishqyrtohen.
“Lindja e Mesme është gati të ketë një dialog të ri. Njerëzit janë të lodhur nga e njëjta histori”, tha ai.
Ai sugjeroi që vetë Izraeli ishte “në proces të ripërcaktimit” dhe u bëri thirrje fqinjëve të tij të kërkojnë marrëveshje me të. Duke iu referuar Sirisë dhe Libanit, Barrack tha se paqja ishte e mundur.
“Presidenti [Ahmed] al-Sharaa ka treguar se nuk e urren Izraelin dhe se dëshiron paqe në atë kufi”, tha Barrack, duke iu referuar udhëheqësit sirian që mori pushtetin pas rënies së Bashar al-Assad.
“Mendoj se kjo do të ndodhë edhe me Libanin. Është një domosdoshmëri të kemi një marrëveshje me Izraelin”, shtoi Barrack.
Barrack tha gjithashtu se si Presidenti i SHBA-së Donald Trump ashtu edhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e panë momentin si një mundësi historike.
“Ata e shohin se kjo është një mundësi në një pikë vërtet interesante në jetën e të dyve, ku ata mund të ndryshojnë dialogun. Dhe dialogu në Lindjen e Mesme kërkon një udhëheqje të fortë”, tha ai.
Duke iu referuar Gazës, Barrack shprehu optimizëm për mundësinë e një armëpushimi në të ardhmen e afërt. “Do të shohim një armëpushim në Gaza në të ardhmen e afërt. Mendoj se kemi ekipin e duhur për këtë”, tha ai, duke shtuar se një zhvillim i tillë mund të përshpejtojë një riorganizim rajonal.
/rtsh.al/