E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ambasadori italian: Lufta ndaj krimit të organizuar kushti për në BE. Ne ju mbështetim!

Gjatë një bashkëbisedimi të hapur me studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, ambasadori Italian në vendin tonë Fabrizio Bucci deklaroi se “Bashkimi Evropian synon që Shqipëria të bëjë hapa para për të përmbushur me sukses reformën në drejtësi si dhe në luftën ndaj krimit të organizuar”.

Ai tha se këto dy kushte janë thelbësore në procesin e pranimit të Shqipërisë në familjen e madhe europiane.

“Kemi një shprehje “Na ndihmoni, t’ju ndihmojmë” dhe mënyra më e mirë është që Shqipëria të ecë përpara me reformat. Reformat në Shqipëri janë të shumta, por reforma në drejtësi është më e rëndësishmja për integrimin. BE bën kujdes të veçantë për këtë. Reforma në Drejtësi jep siguri për sipërmarrjet që duan të veprojnë në Shqipëri.”

Ambasadori Italian tha se Italia ka qenë gjithmonë mbështetëse e reformave që ka bërë Shqipëria, ndaj do ta mbështesë plotësisht Shqipërinë në Integrimin Evropian.

“Italia, gjithmonë, ka qenë miku dhe avokati më i ngushtë i Shqipërisë në marrëdhënien me BE. Italia ka ushtruar presion që Shqipëria të avancojë për integrimin në BE. Vendimi i Këshillit të Europës është shoqëruar me disa kritere që duhen përmbushur nga Shqipëria dhe disa janë kryer. Jam besimplotë që brenda këtij viti do të hapen negociatat. Nuk flasim më nëse Shqipëria do të hyjë apo jo në BE, por kur do të hyjë.  Hapja e negociatave nuk është një fund, por një fillim. Tani fillon “ndeshja” e vërtetë. Shpresojmë që këtë vit do të hapen negociatat dhe të jetë një proces i shpejtë, edhe pse zgjat disa vite”.

Vetëm një ditë më parë Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara, ftuan politikanët të votojnë të enjten në parlament ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e afateve të istitucioneve të Vettingut në Drejtësi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›