Ambasadorja e BE-së në Ukrainë: Do përdoren asetet e ngrira ruse për të ndihmuar ukrainasit në luftë

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Ukrainë, Katerina Maternova ka deklaruar se vendet anëtare të BE-së do të përdorin 1 miliard euro, të krijuara nga asetet e ngrira ruse për të blerë armë, municione dhe sisteme të mbrojtjes ajrore për Ukrainën nën modelin danez.
Ndërkaq, Danimarka ka nënshkruar marrëveshje për të blerë armë direkt nga prodhuesit ukrainas dhe mbështet prodhimin lokal për të rritur aftësinë mbrojtëse të Ukrainës. Kjo qasje siguron prodhimin dhe shpërndarjen më të shpejtë të pajisjeve të përshtatura për nevojat e vijës së frontit.
Modeli danez ka inkurajuar vendet e tjera, të tilla si Norvegjia dhe Suedia, të miratojnë strategji të ngjashme.
Këtë javë, Komisioni Evropian do të marrë 2.1 miliardë euro të ardhura të paparashikuara nga pasuritë e ngrira të bankës qendrore ruse të mbajtur në depozitat qendrore.
“Shumica e fondeve do të përdoren për blerjen e armëve, municioneve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore për Ukrainën në formën e granteve”, ka theksuar ambasadorja.
Siç shpjegon ambasadorja Maternova, një pjesë e fondeve do t’u ndahen vendeve anëtare të BE-së për prokurimin e municioneve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore.
Në total, nga 2.1 miliardë euro, 1 miliard do të shkojnë në industrinë e mbrojtjes së Ukrainës nën modelin danez.
Maternova kujtoi se në gusht të vitit të kaluar, BE kishte investuar tashmë 400 milion euro në industrinë e mbrojtjes së Ukrainës.
“Këtë herë, BE do të sigurojë 1 miliard euro grante për industrinë e mbrojtjes. Përgatitjet e kontratës janë duke u zhvilluar, ” shtoi ajo.
Më herët, ministri i Mbrojtjes së Ukrainës Rustem Umerov tha se Kievi ishte duke eksploruar mundësinë e mbajtjes së takimit të ardhshëm të kombeve udhëheqëse në formatin Ramstein në Ukrainë, duke përfshirë përfaqësues nga forcat ukrainase dhe industria e mbrojtjes.
/rtsh.al/