Ambasadorja greke viziton Fredi Belerin në paraburgimin e Vlorës, djali i tij kërkon ndihmën e Athinës dhe BE-së

Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Konstantina Kamitsi, ka mbërritur këtë të mërkurë në ambientet e paraburgimit të Vlorës.
Kamitsi ka kërkuar takim me kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ që doli fitues për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet pas hekurave për shitblerje votash.
Mediat greke kanë bërë me dije se gjatë ditës së sotme në Shqipëri për çështjen e Belerit, do të mbërrijë edhe një zyrtar i Ministrisë së Jashtme greke.
Sekretari i Përgjithshëm, Theoharis Lalakos, do të informohet për gjendjen shëndetësore të Fredi Belerit dhe Pandeli Kokoveshit, si dhe kushtet e ndalimit të tyre, ndërsa në konsultim me Ambasadën e Greqisë në Shqipëri do të shqyrtohen veprimet e radhës për trajtimin e çështjes.
Ndërsa djali i Fredi Belerit, duke folur për mediat greke, ka kërkuar ndihmën e Athinës, por dhe të Bashkimit Europian për lirimin e babait, i cili sipas tij është burgosur padrejtësisht.
Fredi Beleri dhe bashkëpunëtor i tij Kokoveshi ndodhen në ambientet e paraburgimit që prej të premtes së javës së kaluar, kur u arrestuan në lokalin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për blerje votash. Pavarësisht se ndodhej në qeli, Beleri arriti të zgjidhej krybashkiak i Himarës në zgjedhjet e së dielës.