E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambicia e ka emrin grua

Valeria Dedaj

Mund ta quajmë teatri më i ri që është krijuar në trojet shqiptare. Teatri Profesionist i Mitrovicës është ky që debutoi në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë me prodhimin e parë absolut në historinë e tij të re disamujore. Për fillim kanë zgjedhur tekstin e një autori shqiptar, Ridvan Dibra që përvojën me teatrin e ka virgjine. Por inkurajimi nga Kosova me tekstin Na, të birtë e shekullit të ri erdhi njëherë me vlerësimin në Konkursin e Dramës Shqipe Katarina Josipi e menjëherë pas kësaj me dhënien e dramës për prodhim regjisorit Ben Apolloni.

Aktorët Mirsad Ferati, Leonora Hasani dhe Burim Brahimi prezantojnë marrëdhënien e një çifti në krizë, që nuk mundet të plotësojë egoizmin vetjak për aq kohë sa në mes tyre të qëndrojë një plak i sëmurë, në koma prej 35 ditësh. Titulli i referohet një poeme të Migjenit ndërsa vazhdimi është një perifrazim për të birtë e një shekulli të ri që plakut ia ndërrojnë pleqninë me vdekjen e tij.

Ndërgjegje të trazuara, cinike dhe ambicioze. Personazhet nuk mbajnë emra. Burri në rol është një regjisor, bashkëshortja është studiuese e gjuhës shqipe dhe sidomos e krijimtarisë së Migjenit që të shoqit i thërret darling.

Në skenë qëndrojnë dy karrige në të cilat janë ulur burri në të majtë dhe gruaja në të djathë. Në qendër është shtrati i babait i cili gjatë gjithë natës me vetëtima vetëm kollitet për të tërhequr sadopak vëmendjen e të rinjve. Por është e kotë. Koha e tyre vrapon, u duhet të punojnë për karrierat si intelektualë dhe kur i afrohen shtratit, e bëjnë me një shpresë që jeta e plakut të ketë marrë fund. Pavarësisht se në dramë fati i të moshuarit nuk përcaktohet drejtpërdrejtë, veprimet e të rinjve e nënkuptojnë fundin e tij.

Në një bisedë për Shekullin me protagonisten Leonora Hasani që ka dhënë një personazh mjaft bindës.

Leonora, personazhin tuaj, një femër që kërkon karrierë akademike, mund ta quajmë një rast të pastër ku qëllimi justifikon mjetet?

Është një grua me mjaft ambicie që kërkon të përfundojë një doktoraturë. E pengon sëmundja e një plaku, vjehrrit, që ka shkaktuar humbjen e takimeve, pezullimin e ofertave. Kështu gruaja ka humbur Tubimin e miqve të Migjenit në Shkodër, Sofrën Poetike në Sofje, Netët e Poezisë në Strugë etj.. E njëjta gjë kishte ndodhur dhe me bashkëshortin për ti qëndruar te koka të atit. Prandaj gruaja vendos një ditë që tia numërojë atij të gjitha humbjet që ka patur në këto rrethana.

Ky personazh që ska kohë ta kthejë kokën mbrapa, është në gjendje të vrasë dhe të harrojë.

Drama Na, të birtë e shekullit të ri ka dy pamje: njëra ofron këtë rendje të shfrenuar të njeriut drejt pozitës në shoqëri që ju përshkruat, ndërsa tjetra pamjen e njeriut që mund ta rikthejë në jetë vetëm dashuria.

Në shtrat qëndron një burrë i cili që të zgjohet kërkon ti ofrojnë dashuri dhe përkujdesje, gjë që nuk ndodh asnjëherë. Është një rast që as mjeku nuk mund ta përcaktojë ekzaktësisht diagnozën e sëmundjes së të moshuarit, pasi gjithçka është në dorën e çiftit. Mendojeni këtë çift me 17 vjet martesë, pa fëmijë. Dashuria mes tyre ka marrë fund: çfarë dashurie do ti ofronin ata një të treti që vuan?

A nuk duket sikur kemi të bëjmë me një zonjë Makbeth të kohëve moderne?

Është aq e vendosur kjo grua sa ne shpeshherë e kemi krahasuar dhe me zonjën Makbeth. Mua më vjen mirë që kemi arritur ti bëjmë tanët këto personazhe dhe kam ndjerë që cinizmi dhe egoizmi i tyre të preket edhe nga spektatori. Por vlerësoj faktin që kjo ska të bëj me atë çfarë ne jemi në të vërtet.

 

Harroje të kaluarën dhe do të jetosh i qetë. Këto ishin fjalët që qëndruan në skenë gjithë kohën. Ju i besoni kësaj?

Lodhja dhe mosrealizimi i planeve dhe projekteve i shtyn njerëzit ti harrojnë sakrificat e një brezi, e prindërve tanë. Madje kjo dramë na përforcon bindjen se sa nevojë kemi për njerëzillëk. Përndryshe ka një fund fatal që nënkupton se ndërgjegjja ska për të të lënë më të qetë.

Bio

Leonora Hasani është nga Prishtina, por jeton në Ferizaj. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Arteve në 2004 në Prishtinë. Është vlerësuar me disa çmime si aktorja më e mirë. Ka interpretuar në pjesët Kopshti i dallëndysheve, Gjergj Elez Alia, Ëndrra e një nate vere etj…

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›