E Diel, 1 Nëntor 2026

Konceptet rinore, Shqipëria dhe pjesa tjetër

Ilir Sinanaj

Kam kryer një pjesë të shkollës 9-vjeçare dhe gjimnazin në Britaninë e Madhe. Më pas vazhdova shkollën e lartë në Francë. Si përfundimisht, pas 12 vitesh jashtë atdheut , i ikur në një moshë fare të re, vendosa të rikthehesha në vendin tim. Ndër shumë miq të mi shqiptarë por edhe të huaj lindi pyetja: Pse do të kthehesh dhe çfarë do të bësh atje? Nga luhatja zanore e mënyrës se si parashtrohet kjo pyetje, vihet re një farë habie nga të interesuarit. Këtë habi unë e shpjegoj me faktin se Shqipëria konsiderohet si një vend që nuk ka të ardhme dhe si rrjedhojë, një individ me një bagazh perëndimor do të shkonte dëm në një ambjent të tillë. Shumë të njohur të mi nuk arrinë ta konceptojnë kthimin tim në atdhe sepse për ata, të shkosh jashtë-shtetit do të thotë të arrish një status shoqëror të atillë sa të sigurosh me fare pak mundime njê mirëqenie perrallore, e cila, sipas tyre, as që mund të bëhet fjalë në Shqipëri. Duhet thënë se këta persona që e njohin kaq mirë jetën jashtë Shqipërisë, nuk kanë dalur ndonjëherë jashtë kufinjve të vendit tonë. Nganjëherë druhem të flas për përvojën time në Perëndim sepse beshkëbiseduesit ndihen të indinjur, deri edhe të revoltuar, nga zgjedhja ime për ti kthyer shpinën parajsës që ndodhet jashtë shtetit. Nga komentet më të bukura në lidhje me këtë temë kishte të bënte me krahasimin e jetës time me programin televiziv Big Brother. Folësi në fjalë e shpjegonte faktin e kthimit tim nê Shqipëri duke e vlerësur njësoj sikur të isha eleminuar nga Big Brother. Pra, një mënyrë poetike për të quajtur kthimin tim në vendlindje si dështim. Sigurisht, unë nuk mund të mos e mbaja dot gazin.
Por, unë u ktheva, pikë së pari, e thënë me shumë modesti, se besoj se e kam përvetësuar pjesën më të rëndësishme të kulturës perëndimore. Së dyti, Shqipëria ka një ambjent shoqëror që vështirë të gjehet në një vend tjetër. Të rinjtë shqiptarë kanë një n atyrë shumë shoqërore dhe mua nuk më josh mentaliteti i jetës së orientuar drejt individualitetit. Së treti, ajo që shumë veta nuk e kuptojnë, ose më mirë të themi e dinë por nuk e shprehin, është se Shqipëria duke qenë një vend me shumë burime natyrore por shumë keq të menaxhuara, me pak guxim është terreni i përshtashmëm për të ndërtuar një jetë interasante për dikë që ka vullnet dhe vendosshmëri. Së fundi, me liberalizimin e ekonomisë, tregu i punës dhe i veprimtarisë, tashmë është mbarë rruzulli tokësor. Fakti që jeton në Shqipëri, nuk do të thotë se veprimatria jote pritet me pjesën tjetër të botës.
Megjithatë breza të tërë rriten dhe edukohen me frymën për të emigruar. Kjo shkakton një hemorragji të vazhdueshme të fuqisë puntore dhe asaj intelektuale. Nëse mëndësia e të rinjve nuk ndryshon, e ardhmja e kombit do të jetë në pikëpyetje.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›