E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerika e ka Presidentin, ai është Barack Obama

Barack Obama u rizgjodh president i SHBA-së, pasi që mposhti rivalin e tij republikan, Mitt Romney. Obama tuboi 303 vota të Kolegjit Zgjedhor, ndërsa Romney 206 sosh. Obama ngadhënjeu në shtetet fushëbetejë, të cilat edhe përcaktuan epilogun e garës. “Sonte, në këto zgjedhje, ju, populli amerikan, na kujtuat se përderisa rruga jonë ka qenë e vështirë, përderisa udhëtimi jonë ka qenë i gjatë, se jemi ngritur sërish në këmbë, se jemi rikthyer dhe ne e dimë në zemrat tona se ditët më të mira për SHBA-në po vijnë”, deklaroi Obama në fjalimin e fitores. Romney i uroi fitoren Obamës dhe theksoi se lutjet e tij do të jenë me presidentin, në një periudhë, siç tha ai, kaq sfiduese për SHBA-në.

Barack Obama është rizgjedhur president i SHBA-së, falë votave të pakicave, femrave dhe votuesve të moderuar, me ndihmën e të cilave ai mposhti rivalin e tij republikan, Mitt Romney.

Me fitoren në shtetin e Ohios, Obama tejkaloi 270 votat e nevojshme për tu zgjedhur president të Kolegjit Zgjedhor. Në përgjithësi, Obama siguroi 303 vota të Kolegjit Zgjedhor, kundrejt 206, sa i siguroi Romney.

E kremta nuk kishte fund në Chicago, ku Obama përcolli rrjedhën e zgjedhjeve dhe ai menjëherë pas kumtimit të lajmit për fitoren e tij falënderoi të gjithë votuesit, të cilët ja besuan atij edhe një mandat katërvjeçar në Shtëpinë e Bardhë.

“Sonte, në këto zgjedhje, ju, populli amerikan, na kujtuat se përderisa rruga jonë ka qenë e vështirë, përderisa udhëtimi jonë ka qenë i gjatë, se jemi ngritur sërish në këmbë, se jemi rikthyer dhe ne e dimë në zemrat tona se ditët më të mira për SHBA-në po vijnë”, deklaroi Obama në fjalimin e fitores.

Ai nënvizoi sërish se do të luftojë për mundësi të barabarta për të gjithë, duke theksuar se argumentet politike, të cilat shoqërojnë demokracinë në Amerikë, ishin pjesë e domosdoshme e procesit.

"Ju më keni bërë një president më të mirë. Unë kthehem në Shtëpinë e Bardhë i sigurt për rrugën që duhet bërë dhe të ardhmen që na pret", tha Obama. Presidenti premtoi se do të punojë me partitë për të arritur progres në këtë vend, për të pasur më shumë vende pune, për të përmirësuar jetën.

Por Obama iu kujtoi qytetarëve amerikane se puna e tyre nuk ka mbaruar vetëm duke hedhur votën në këto zgjedhje presidenciale.

"Roli i qytetarëve nuk përfundon me dhënien e votës. Të gjithë duhet të punojmë për këtë vend. Ky komb ka më shumë pasuri se çdo vend tjetër, kemi ushtrinë më të fortë, kemi shkollat më të mira, por nuk na bëjnë këto gjëra të jemi më të mirë se të tjerët. Ne duhet që të pranojmë përgjegjësi të përbashkëta për të ardhmen dhe për brezat që do të vijnë", tha Obama.

Në anën tjetër, ithtarët e Romneyt, të tubuar në Boston, ishin të pikëlluar. Në një fjalim të shkurtë para tyre, Romney i uroi fitoren Obamës dhe theksoi se lutjet e tij do të jenë me presidentin, në një periudhë, siç tha ai, kaq sfiduese për SHBA-në.

“Në një kohë të këtillë, në të cilën po jetojmë ne, nuk mund ti lejojmë vetës grindje partiake”, tha Romney, duke shtuar se ai i ka telefonuar Obamës për t’ia uruar fitoren personalisht.

Obama fitoi në shtetet “fushëbetejë” Ohio, Virginia, Wisconsin, New Hampshire, Iowa, Nevada dhe Colorado. Ai gjithashtu fitoi bindshëm në shtetet të cilat votojnë tradicionalisht për demokratët, më saktësisht në Kaliforni, New York dhe në Michican, shtet ky në të cilin ka lindur Romney dhe në të cilin i ati i tij ka shërbyer si guvernator.

Sikur edhe para katër viteve, kur mposhti kandidatin e atëhershëm republikan, John McCain, edhe kësaj radhe Obama pati një mbështetje të fuqishme nga votueset femra, nga afro-amerikanët dhe hispanikët.

Ashtu siç edhe ishte parashikuar, zgjedhjet u vendosën në shtetet fushëbeteja. Marrë në përgjithësi, Obama siguroi 1 milionë vota popullore më shumë se Romney.

Obama ngadhënjeu në Illinois, Massachusetts, Michigan, Colorado, Nevada, Kaliforni, Ohio, Wisconsin, Iowa, Oregon, Washington, New Mexico, New Hampshire, Pennsylvani, Minnesota, New Jersey, New York, Vermont, Connecticut, Delaëare, Maryland, Maine, Rhode Island, Hawaii dhe në Distriktin e Kolumbisë.

Romney ngadhënjeu në Karolinën e Veriut, Idaho, Montana, Arizona, Kansas, Louisiana, Nebraska, Dakotën e Veriut, Dakotën e Jugut, Texas, Wyoming, Mississippi, Alabama, Tennessee, Arkansas, Kentucky, Indiana, Virxhininë Perëndimore, Karolinën e Jugut, Oklahoma, Utah, Missouri dhe Georgia. I vetmi shtet fushëbetejë, në të cilin nuk u kumtua fituesi, ishte Florida, ku vazhdoi procesi i numërimit të votave.

Barack Hussein Obama bëri historinë më 4 nëntor 2008, kur ai me lehtësi mposhti rivalin republikan John McCain, për t'u bërë presidenti i parë me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara.

Në moshën 47-vjeçare kur mori detyrën, Obama ishte edhe presidenti i parë urban që nga Harry Truman dhe presidenti i parë i lindur në Hawai. Më shumë se një milionë përkrahës dhe pjesëmarrës qëndruan në të ftohtë për të ndjekur inaugurimin e Obamas. Pasi mori detyrën, demokratët mposhtën kundërshtimin e republikanëve për një program ekonomik stimulues, reformën në sistemin shëndetësor, vendosjen e rregullave të reja për Wall Street dhe industrinë bankare, si dhe shpëtimin e industrisë amerikane të automobilave nga kolapsi.

Më vonë, ai dhe demokratët amerikanë hodhën poshtë një ligj dy dekada të vjetër që ndalon haptazi homoseksualët për të shërbyer në ushtrinë amerikane. Obama përdori veton presidenciale dhe veproi pa miratimin e Kongresit, duke mbrojtur nga dëbimi disa emigrantë të ardhur në SHBA si fëmijë. Ndërkohë, administrata e tij ka deportuar më shumë imigrantë të paligjshëm se çdo president tjetër amerikan.

Obama dërgoi një ekip të komandove për të vrarë Osama Bin Ladenin, çoi drejt fundit luftën amerikane në Irak, reduktoi forcat amerikane në Afganistan, me plan që ti tërheqë në tërësi në vitin 2014 dhe nënshkroi një traktat të ri për armët bërthamor me ish-presidentin rus, Dmitri Medvedev.

Liderët botërorë urojnë Obamën

Kryeministri i Britanisë, David Cameron ka qenë ndër udhëheqësit e parë ndërkombëtarë që ka mirëpritur rizgjedhjen e presidentit amerikan Barack Obama për një mandat të dytë katërvjeçar.

Duke shkruar në Twitter, Cameron e përshkroi Obamën si një “mik” dhe tha se ai mezi pret që të “vazhdojnë të punojnë së bashku.”

Në Bruksel, presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, tha nëpërmjet Tëitter se ai është “shumë i lumtur” për rizgjedhjen e Obamës.

Anders Fogh Rasmussen, sekretar i përgjithshëm i NATO-s, ka shprehur “urime të ngrohta”, duke lavdëruar atë që ai e quajti “udhëheqje të shquar” të Obamës në ruajtjen e marrëdhënieve euro-atlantike.

Në Moskë, ligjvënësit në Dumën Shtetërore të Rusisë gjithashtu përshëndetën fitoren e Obamës ndaj sfiduesit republikanë Mitt Romney, duke e quajtur rezultatin si “alternativë më të mirë” për Rusinë.

Ligjvënësit shprehën shpresën se udhëheqësi amerikan do të vazhdojë “rivendosjen” e marrëdhënieve mes Moskës dhe Washingtonit.

Edhe presidenti i Kinës, Hu Jintao, e uroi presidentin Obaman për rizgjedhjen e tij, duke vënë në pah “progresin pozitiv” në raportet mes dy shteteve në katër vjetët e kaluara, ka thënë ministria e Jashtme e Kinës.

“Presidenti Hu Jintao dhe kryeministri Wen Jiabao i kanë porosi urimi presidentit Obama për rizgjedhjen president i SHBA-së”, iu ka thënë zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Hong Lei, gazetarëve në Pekin.

Edhe kancelaria e Gjermanisë, Angela Merkel, uroi Obamën, duke theksuar se “do të ishte nder për të, që Obama të vizitojë së shpejti sërish Gjermaninë”.

Republikanët fitojnë Dhomën Përfaqësuesve, demokratët Senatin

Rrjetet televizive amerikane, duke iu referuar rezultateve të pjesshme nga zgjedhjet e së martës, kanë projektuar se Partia Republikane mban kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa ligjvënësit e Partisë Demokratike të presidentit Barack Obama, do të ruajnë një shumicë të ngushtë në Senat.

Me dhomat e Kongresit të ndara sërish mes partive, kalimi i legjislacionit madhor, do të vazhdojë të jetë sfidues për presidentin Obama.

Dy partitë e mëdha amerikane kanë bllokuar me vite një numër ligjesh.

Nëse Kongresi nuk pajtohet mbi tatimet dhe planin e shkurtimeve buxhetore, deri në fund të këtij viti, shkurtimet automatike të buxhetit do të hyjnë në fuqi dhe ekonomistët frikësohen se kjo do të shkaktojë recesion.

Të martën është votuar për 33 nga 100 ulëset në Senat, si dhe për të gjitha 435 ulëset në Dhomën Përfaqësuese.

Para zgjedhjeve, demokratët kanë pasur 51 ulëse në Senat, plus dy senatorë të pavarur, që në përgjithësi kanë votuar për ta.

Republikanët kanë kontrolluar 242 nga 435 ulëset në Dhomën Përfaqësuese.

Obama mban fjalimin e fitores

Romney pranon humbjen

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›