E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerika i shpall luftë AIDS-it

Objektivi i Presidentit Obama: 25 për qind më pak të infektuar brenda pesë vjetëve

Me prezantimin e një plani shëndetësor të paprecedent kundër AIDS-it, shëndetësia amerikane po bën një tjetër hap drejt përqafimit të modelit europian. Fushata parandalimi dhe edukimi në shkallë të gjerë, akses universal ndaj diagnozës dhe kurave, koordinim më të madh mes subjekteve të ndryshme aktivë në luftën kundër sëmundjes së shekullit: është kjo receta e propozuar nga administrata “Obama”, që një ditë më parë prezantoi strategjinë për të penguar përhapjen e HIV/AIDS në territorin amerikan. Një iniciativë e paprecedent në historinë e Amerikës, që konfirmon edhe njëherë rrugën e mbarë të reformës në shëndetësi. “Vendi ynë ndodhet në një udhëkryq”, shkroi Presidenti amerikan në mesazhin e prezantimit të kësaj iniciative. “Pikërisht në këtë moment po jetojmë një epidemi që kërkon një angazhim të ri, një rritje të vëmendjes publike dhe lidershipit”. Që nga koha që ka marrë detyrën, Obama kishte investuar shumë për zyrën e politikave kundër AIDS për të zhvilluar një strategji kombëtare kundër HIV/AIDS. “Një plan me një vizion ambicioz”, deklaroi nënsekretari për çështjet me shëndetin, Kathleen Sebelius. “Po përpiqemi që SHBA-të të jenë një vend ku të infektuarit e rinj me HIV të jenë dukuri të rralla dhe kur të jetë e nevojshme, çdo person mund të ketë akses të lirë ndaj shërbimeve shëndetësore të një cilësie të lartë. Po ashtu të jenë të lirë nga paragjykimet dhe diskriminimi”. Plani më në fund ka dalë në dritë. Tre janë objektivat kryesore të fiksuara nga komisioni i ekspertëve. Para së gjithash reduktimi i numrit të të infektuarve me HIV me 25 për qind brenda 5 vjetësh, duke intensifikuar sforcimet e parandalimit në komunitetet ku infektimi është më i përhapur. Këtu përfshihet politika për masat parandaluese, duke edukuar gjithë popullsinë amerikane mbi rreziqet e HIV dhe masat për shmangien e saj. Objektivi i dytë është zgjerimi i aksesit ndaj asistencës shëndetësore, përmes ndërtimit të një sistemi ku personat e infektuar me këtë sëmundje të marrin shërbime të koordinuara dhe cilësore përgjatë gjithë “rrugës” së sëmundjes: nga diagnoza e deri te kurat. Në fund, reduktimi i pabarazive që lidhen me këtë patologji. “Për të arritur këto objektiva, duhet t’u japim një përgjigje më të koordinuar kësaj epidemie. Qeveria federale nuk mund t’ia dalë e vetme. Suksesi do të varet nga angazhimi i qeverisë në të gjitha nivelet e sektorit ekonomik, të komunitetit fetar, të filantropisë së komunitetit mjekësor dhe shkencor, të institucioneve edukative, të personave të infektuar me HIV”. “Strategjia na shërben si një guidë për të angazhuar gjithë kombin kundër epidemisë së tmerrshme të HIV-it. Ajo nuk është përpiluar për të qenë një listë e të gjitha aktiviteteve të mundshme kundër HIV/AIDS në SHBA, por si një plan konciz që identifikon prioritetet dhe aksionet strategjike që mund të na çojnë në arritjen e rezultateve të matshme”. Në planet e kësaj strategjie parashikohet kurimi në masën 85 për qind të të infektuarve të rinj brenda tre muajve të parë, kundrejt shifrës 65 për qind që është aktualisht, asistencë farmakologjike dhe mjekësore ndaj të sëmurëve dhe rritjen e parandalimit. Për vitin 2015, 90% e sieropozitivëve duhet të dinë se janë të infektuar dhe si pasojë të kurohen si duhet. Sot vetëm 79% e të infektuarve janë të informuar për gjendjen e tyre. Afërsisht 30 vjet pas shpërthimit të epidemisë së AIDS-it, njerëzit kudo në botë vazhdojnë ta klasifikojnë atë në listën e problemeve më të rëndësishme, me të cilat përballet bota. Programi i Kombeve të Bashkuara kundër AIDS-it tha se të rinjtë po kryejnë një revolucion për sa i përket parandalimit të HIV-it. Ata i kanë ulur kuotat e epidemisë, duke kryer marrëdhënie seksuale të mbrojtura dhe duke pasur më pak partnerë seksualë. Ky lajm u bë i ditur në prag të një konference për HIV-AIDS, që do të mbahet në Vjenë javën e ardhshme. Në përfundimet e tjera të rëndësishme, që përmenden në raportin e UNAIDS-it thuhet se infektimi me HIV tek të rinjtë po bie në shumë vende në botë, veçanërisht në pjesë të Afrikës subsahariane. Ka pasur një reduktim 25% të infeksioneve me HIV tek të rinjtë në 15 vendet më të prekura. Ato përfshijnë Botsvanën, Etiopinë, Kenian e Zimbabvenë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›