Shkrihet Ansambli i Ushtrisë
Kohë më parë, Zerina Kuke, drejtuese e grupit kulturor të Forcave të Armatosura, deklaronte me entuziazëm reformën në strukturë dhe në organizim të Ansamblit të Ushtrisë, madje ajo synonte edhe përfshirjen e bandës brenda kësaj strukture. Gjithashtu synonte që të kishte një formacion sa më aktiv dhe të mirorganizuar, ashtu siç ishte dikur. Sot gjendja e këtij Ansambli, ajo e një pjese të artistëve të angazhuar aty, është përkeqësuar. Në kuadrin e riorganizimit që qeveria ka propozuar për administratën e institucioneve, apo ndoshta edhe me pranimin në NATO, ku me kriteret e reja supozohen ndryshime, shkurtime, zëvendësime apo shtime është vendosur të shkrihet Ansambli i Ushtrisë. Komunikimi zyrtar për këtë lajm pritet të jetë data 30 korrik. Duket se është vendosur që këngëtarët, pjesë e këtij ansambli, duke filluar nga Kozma Dushi, Redon Makashi, Ervin Bushati, Mira Bregu, Adriana Ceka dhe Arian Toçi do të ngelen pa punë, edhe pse ndonjë fije shprese për kalim diku tjetër edhe ua kanë dhënë. Ndërkaq, fati i instrumentistëve të këtij Ansambli do të jetë ndryshe, më fatlum se ai i këngëtarëve. Kitaristët, bateristi, saksofonisti dhe pianisti pritet të bëhen pjesë e bandës së ushtrisë, e cila prej kohësh nuk është më pjesë e Ansamblit. Me këtë reformë, grupi artistik i Ansamblit të Ushtrisë nuk do të ekzistojë më. Këngëtari Kozma Dushi, i cili është pjesë e këtij ansambli qysh prej vitit 2005, shprehet i shqetësuar për këto ndryshime. “Na thanë ikni, merrni lejen dhe në datën 30 do të ktheheni. Atëherë ne do t’u komunikojmë se çfarë do të bëhet me ju. Pra kjo datë do të jetë edhe komunikimi zyrtar për të mësuar mbi atë se çfarë do të ndodhë me ne këngëtarët. Motivimi me të cilin mendoj se do të na heqin është se nuk ka duhen më vokalistë me strukturën e re që do të bëhet. Në këtë mënyrë ne dalim në rrugë”, thotë këngëtari, sipas të cilit ky grup artistik, të paktën gjatë viteve kur edhe ai ka qenë pjesë e tij, ka dhënë koncerte gjithandej ku ka formacione ushtarake, si në Pashaliman, Zallherr, repartet e Bunavisë, Bishtpallës etj. “Unë nuk dua të flas para kohe, por me aq sa kemi kuptuar e me aq sa na kanë thënë, probabiliteti më i madh është që të na largojnë prej këtej. Muajt e fundit madje, nuk organizonin më asnjë aktivitet, madje na lanë edhe pa instrumentet e nevojshme”, shton më tej këngëtari. Sipas tij, pritet në fakt që të gjitha strukturat ekzistuese në godinën aktuale të Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë të kalojnë te ish-Shtëpia e Oficerëve. Asgjë nuk dihet me siguri derisa të jepet zyrtarisht lajmi më 30 korrik. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë me artistët, të cilët me gjithë peripecitë e vështirësitë, iu bashkëngjitën traditës së hershme të nisur prej Mentor Xhemalit në vitin 1943. Më parë, në Ansambël trupa artistike kishte mbi 150 veta. Pjesë e tij ishin emra të njohur të skenës shqiptare. Deri në vitin 1992, pas ndryshimeve demokratike, pati një shkëputje të funksionimit të tij dhe më pas me urdhër të Safet Zhulalit, në vitin 1993 rikrijohet grupi artistik i Forcave të Armatosura.
#