E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerika, pro dhe kundër Barak Obamës

 

A janë gati Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të zgjedhur një President me ngjyrë. Analistët japin argumentet e tyre pro dhe kundër senatorit Obama

Gara presidenciale në Shtetet e Bashkuara po mbulohet nga të gjitha mediat, si kurrë më parë. Ngaqë kjo garë është historike e meqë pritet emërimi i senatorit Barak Obama si kandidati i partisë demokrate, e gjithë bota po e ndjek me vëmendje këtë zhvillim. Korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Xhefri Jang analizon nëse Amerika është e përgatitur të ketë një President zezak në Shtëpinë e Bardhë. Zgjedhjet e 4 nëntorit do të jenë si asnjëherë tjetër. Për herë të parë, një nga kandidatët e dy partive kryesore, Senatori Barak Obama është afrikano-amerikan. Krahas zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, disa votues do të konfrontohen edhe me qëndrimet e tyre raciste.Analistët politikë, ashtu si edhe njerëzit nëpër rrugë, shprehin pikëpamjet e tyre për këtë çështje. Profesori Leri Sabato, në Universitetin e Virxhinias, thotë se fakti që senatori Obama është afrikano-amerikan do të jetë një faktor i paevitueshëm në zgjedhjet e nëntorit."Të mos tregohemi naivë. Ende ka paragjykime raciale e jo vetëm në jug, apo në shtetet e kufirit. Mendoj se ky është një problem serioz për Obamën. Sa më tepër që ai flet për racën, aq më tepër njerëzit mendojnë për këtë. Nga ana tjetër, nëse ky problem nuk trajtohet, ai do të ishte edhe më i madh".

Emërimi i Barak Obamës do të kapërcejë një pengesë shumë të madhe. Por ai nuk është zezaku i parë që vë kandidaturën për president. Në vitin 1972, ligjvënësja demokrate e Nju Jorkut, Shërlli Çizëll, kandidoi por nuk mundi të sigurojë emërimin e partisë. Në vitin 1968, kur zonja Çizëll u bë gruaja e parë që zgjidhej në Dhomën e Përfaqësuesve, vendi po dilte nga vite të tëra marshimesh dhe protestash për të drejtat civile, që synonin t'i jepnin fund ndarjes dhe diskriminimit racial në jug të vendit. E gjitha kjo arriti kulmin në prill të vitit 1968, me vrasjen e udhëheqësit të të drejtave civile, Martin Luther King. Në mbarë vendin, zemërimi i zezakëve dhe pakënaqësitë e tyre u shprehën me protesta nëpër rrugë. 16 vjet më vonë, Xhesi Xhekson bëri fushatë për të siguruar emërimin e Partisë Demokrate në vitin 1984. Ai mundi të sigurojë rreth 3,5 milionë vota në zgjedhjet praprake të partisë së tij. Në përpjekjen e tij të dytë të pasuksesshme, në vitin 1988, ai fitoi dyfishin e votave.

“Barak Obama po e paraqet veten si një kandidat ndryshe”,- thotë Tomas Men, i Institutit Brookings këtu në Ëashington. "Senatori Obama përfaqëson një brez më të ri të një kandidati të pakicave, në të njëjtën kohë, ai nuk është jashtë gjeneratës së të drejtave civile. Ai nuk është konfrontues dhe nuk kandidon si afrikano-amerikan, por si Barak Obama". Fushata e senatorit Obama ka përkrahës të bardhë, latinë e aziatiko-amerikanë, krahas afrikano-amerikanëve. Ajo ka gjallëruar të rinjtë në shkallë të paparë, që nga koha kur mosha e votimit u ul në 18 vjeç në vitin 1972. Në vështrim të parë, dikush mund të thotë se mbështeja e gjerë që gëzon tani zoti Obama dhe rezultatet e anketave do t'i shërbejnë atij në ditën e zgjedhjeve. Por studjuesja Vesla Uivër në Universitetin e Virxhinias paralajmëron se në zgjedhjet e mëparshme, kandidatët me ngjyrë janë ndeshur me surpriza të pakëndshme. "Mendoj se kjo ka të bëjë me faktin, që njerëzit pasi kanë hedhur votën, nuk deklarojnë se për cilin kandidat kanë votuar kur bëhet fjalë për çështje kontradiktore si për shembull votimi për një kandidat zezak".Në vitin 1982, në bazë të anketave të opinionit me zgjedhësit që dilnin nga qendrat e votimit, Kryetari i Bashkisë së Los Anxhelosit, kandidati me ngjyrë Tom Bredli ishte në krye të garës. Por pas numërimit të votave, doli se ai kishte humbur. Në zgjedhjet për guvernator shteti të vitit 1989, kandidati tjetër me ngjyrë Daglas Ualder kryesonte garën me 10 për qind, sipas anketave parazgjedhore. Por në zgjedhje ai fitoi me më pak se një për qind të votave. Analistët politikë e njohin këtë me termin "Efekti Bredli" dhe thonë se ky ende mbetet një faktor. VIZITA

Obama me kapelen hebraike

Kandidati presidencial i Partisë Demokrate, senatori Barak Obama ka rikonfirmuar qëndrimin e tij që Jerusalemi do të jetë kryeqytet i Izraelit. Mirëpo ai tha gjithashtu se izraelitët dhe palestinezët duhet të përcaktojnë të ardhmen e qytetit të Jerusalemit dhe se kjo nuk ishte një çështje që i përket ta vendosin Shtetet e Bashkuara.Senatori nga Illinois bëri komente para gazetarëve sot në qytetin Sderot, që shpesh ka qenë objektiv i raketave të grupeve ekstremiste palestineze nga Rripi i Gazës. Më herët, zoti Obama u takua me presidentin palestinez Mahmud Abaz në Ramallah. Ai u takua gjithashtu edhe me ministrin izraelit të mbrojtjes Ehud Olmert, udhëheqësin e opozitës Benxhamin Netanjahu dhe presidentin Shimon Peres. Gjatë vizitës së tij në Izrael senatori Obama kishte vënë një kapelen fetare hebraike, kur vuri kurora në përkujtimoren e viktimave të Holokaustit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›