Amnesty International: Dhuna në famije alarmante, shqetësim 21 janari
Londër- Amnesty International ka publikuar mbrëmë raportin për të drejtat e njeriut, ndërsa ka tërhequr vëmendjen për dhunë në familje në Shqipëri, diskriminimin e komunitetit gay dhe rom, si dhe mungesën e drejtësisë për ngjarjen e ’21 janarit’.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës zv/drejtorja e Programit për Evropën dhe Azinë Qendrore në këtë organizatë, Jezerca Tigani shprehet se organizata e saj vazhdon të ketë të njëjtat shqetësime për të drejtat e njeriut në Shqipëri.
Vazhdojnë të raportohen shumë incidente të dhunës në familje. Gjatë vitit të kaluar janë raportuar 2526 incidente të dhunës në familje, 345 më tepër sesa vitin e mëparshëm. Kjo do të thotë se dhuna në familje vazhdon të jetë një problematikë në Shqipëri,- tha ajo.
Një shqetësim tjetër i madh në raport është vazhdimi i diskriminimit të komunitetit rom në vendin tonë.
Ka pasur disa raste vitin e kaluar kur komuniteti rom është larguar me forcë nga tendat e tyre dhe u është dashur të gjejnë mënyra të tjera, apo të sajojnë strehime të tjera ku janë zhvendosur familjet e tyre dhe disa nga këto zhvendosje kanë ndodhur gjatë temperaturave të ulëta të dimrit dhe qeveria ka marrë shumë pak masa për të akomoduar në një farë mënyre këtë komunitet- u shpreh Tigani .
Zonja Tigani përmend gjithashtu diskriminimin ndaj komunitetit gay në Shqipëri, një problematikë që thotë ajo nuk është shumë e njohur në vend, por që duhet trajtuar më shumë.
Parada e parë për të drejtat e këtij grupi në Tiranë vitin e kaluar ishte një hap i rëndësishëm. Shpresojmë që këtë vit përsëri parada e Tiranës të zhvillohet,- deklaroi ajo.
Në raportin e Amnesty International ngrihet shqetësimi për mungesën e kujdesit për të rinjtë jetimë që duan të strehohen dhe nuk kanë mundësi. Një çështje tjetër janë torturat dhe keqtrajtimet në burgje dhe stacione policie.
Është një fatkeqësi që akoma raste të tilla torture dhe keqtrajtimi, akoma ndodhin në Shqipëri,- tha Tigani.
Në raport, përmendet edhe rasti i ish-komandantit të Gardës Ndrea Prendi dhe ish-oficerit të gardës Agim Llupo, të akuzuar për vrasjen e katër protestuesve në janar 2011. Për organizatën e të drejtave të njeriut kjo çështje nuk është e mbyllur megjithëse gjyqi përfundoi vitin e kaluar.
Ne si organizatë akoma vazhdojmë të mendojmë se ky nuk duhet të jetë fundi i një incidenti të tillë. U vranë katër persona dhe nuk besojmë se gjyqi i majit jep drejtësinë e duhur,- shprehet AI.
Një problem gjithëpërshirës në Shqipëri, sipas zonjës Tigani është se shoqëria e sheh veten ende si homogjene dhe për këtë arsye i sheh si të veçuara komunitetet rome dhe gay.