Amnistia prek edhe burgun e grave në Pojskë, 12 të dënuara fitojnë lirinë

Zbatimi i ligjit për amnistinë do të sjellë përfitime edhe për të dënuarat që vuajnë dënimin në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për Gratë në Pojskë të Pogradecit.
Sipas të dhënave, 12 gra do të lirohen, pasi përfitojnë nga ulja e dënimit e parashikuar në ligj. Ndërkohë, 11 të dënuara të tjera nuk do të lirohen menjëherë, por do të përfitojnë ulje me një të gjashtën e dënimit të dhënë nga gjykata.
Zbatimi i amnistisë pritet të nisë më 15 korrik, ndërsa autoritetet kanë përfunduar procedurat e verifikimit për personat që plotësojnë kushtet ligjore për të përfituar nga kjo masë lehtësuese.
Nga amnistia përjashtohen personat që nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligj, përfshirë të dënuarit për vepra të caktuara penale me rrezikshmëri të lartë.