Analistët: Dialogu, me qëllime të ndryshme

Me gjithë mosmarrëveshjet ndërmjet institucioneve kosovare, në Bruksel nisi dje dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, dialog i cili vlerësohet të jetë një mundësi e mirë për zgjidhjen e problemeve në mes të palëve me qëllim të integrimit të tyre në BE.
Njohësit e rrethanave politike dhe të integrimeve evropiane në Kosovë e Serbi, flasin për pozicione dhe interesa të ndryshme të të dy vendeve në drejtim të integrimit në BE.
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko ka deklaruar për Evropën e Lirë se, pavarësisht përgatitjeve që mund të ketë bërë delegacioni kosovar, pozicioni aktual i Prishtinës zyrtare është më i dobët në këtë fazë. E kundërta, sipas saj, vlen për shtetin serb, i cili përmes dialogut synon ta përfitojë statusin e vendit kandidat për të hyrë në BE.
“Beogradi po përpiqet ta paraqesë veten si një partner të hapur në këtë dialog, në radhë të parë, sepse Beogradi është shumë i varur nga këto zhvillime, për shkak të statusit eventual të vendit kandidat, të cilin shpreson ta marrë deri në fund të këtij viti. Kjo është shumë relevante për qeverinë aktuale, sepse ajo e sheh këtë si argument të rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Biserko.
Autoritetet kosovare shfaqin shpresën që, përmes dialogut, të arrijnë te njohja nga Serbia, por përveç mungesës që të njihet si palë e barabartë nga shteti serb, Kosova po hyn në dialog edhe pa u njohur nga pesë vendet anëtare të BE-së.
Eksperti për çështje të integrimeve, Shenoll Muharremi ka thënë se është në interesin e BE-së dhe politikës së tij të jashtme që dialogu të ketë sukses në terren, gjë që, sipas tij, ka munguar në çështje të tjera ndërkombëtare, në të cilën ka qenë e përfshirë diplomacia evropiane. Drita e gjelbër për të qenë vend kandidat për anëtarësim në BE do të jetë, sipas Muharremit, qëllimi i Serbisë, ndërsa për Kosovën rezultatet duket të jenë të pritshme vetëm në një periudhë më afatgjate.
“Kosova eventualisht do të mund të përfitojë duke e zbutur qëndrimin e Beogradit karshi Kosovës dhe kjo mund të ketë efekt në pesë vendet që nuk e njohin Kosovën” theksoi ai.
Përafrimet dhe kompromiset eventuale në mes të palës serbe e asaj kosovare vlerësohet ta ndihmojë bashkëpunimin rajonal dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Ndonëse nuk është publikuar në detaje axhenda e bisedimeve, që filluan të martën nën kryesimin e Robert Cooperit, përfaqësues i lartë i shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, dialogu thuhet se do të jetë teknik.
Në takimet e delegacioneve që do të mbahen në vazhdim, pritet të diskutohen temat si çështja e të pagjeturve, doganat, sundimi i ligjit, liria e lëvizjes dhe bashkëpunimi rajonal, ndërsa analistët theksojnë rëndësinë që dialogu të mbetet në nivelin e çështjeve të tilla teknike.