E Diel, 1 Nëntor 2026

Analisti amerikan në 1913: Shteti shqiptar, sajesë e Europës

Albert Bushnell Hart

E ardhmja e Shqipërisë së pavarur sipas Albert Bushnell Hart

Mund të civilizohet, por deri atëherë do të duhet të përjetohen zhgënjime, dështime dhe luftëra civile

Ndërsa jubileu i 100-të i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë këtë vit ka marrë udhë, duket se ende shumëçka rreth kësaj ngjarjeje madhore në historinë e çdo vendi të qytetëruar mbetet për t´u zbuluar e trajtuar. Shumë kontribute, vlerësime e fakte kanë nevojë t´i nënshtrohen një gjykimi sa më realist.
Nën këtë këndvështrim, duket se një vend duhet të gjejnë edhe individë e studiues të huaj, të cilët, duke i parë gjërat me ftohtësi e larg emocioneve, na mundësojnë sot të shohim më me realizëm seç shihej, jo vetëm pavarësia e Shqipërisë, por edhe e djeshmja dhe e ardhmja e shqiptarëve në sytë e botës së civilizuar. Një ndër ta është edhe profesori amerikan, Albert Bushnell Hart, që jetoi në vitet 18541943, e i cili në enciklopeditë amerikane e më gjerë njihet si historian e shkrimtar, lektor në Universitetin e famshëm të Harvardit e botues i disa veprave e studimeve në zë për kohën, duke bërë emër sidomos si njohës shumë i mirë i historisë amerikane.
Pikërisht, në kohën e luftërave ballkanike, që përkojnë me periudhën kur Shqipëria tashmë kishte shpallur pavarësinë e saj – dhe mundohej përmes kaosit e turbullirave që ngrinin krye, të ruante atë pak sovranitet të fituar me gjak – ai angazhohet me analiza e komente rreth situatës në Ballkan, ku edhe shqiptarët do të ishin pjesë e tyre. Më së shumti, mendimet e tij thitheshin nga prestigjiozja amerikane, New York Times, e cila duket se përcillte me shumë interes ngjarjet në kontinentin plak, ndërsa rajoni i ngërthyer nga masakrat, trazirat, kaosi e pasiguria, po zinte edhe faqet e para të shumë platformave madhore botërore.
Janë pikërisht vitet 1912-1914, ku ai na shfaqet me analiza e prognoza, mbi atë se çfarë mund të vinte nga trazirat ballkanike dhe cila do të ishte e ardhmja e tij. Kështu, ndërsa qeveria provizore e Ismail Qemalit ishte ende objekt i diskutimeve dhe Shqipëria de facto i nënshtrohej observimit të rreptë të koncertit të 6 fuqive europiane, me statusin zyrtar të një vendi neutral, ai shfaq hapur skepticizmin e tij mbi probabilitetet e mbajtjes më këmbë të këtij shteti të ri nga vetë shqiptarët, por nga ana tjetër nuk e vë fare në diskutim se ky shtet, kurrsesi, nuk duhej aneksuar e qeverisur nga ndonjë fqinj i tij. Interesant është fakti se ai nuk e përmend në asnjë rresht emrin e kreut të qeverisë e asnjë nga liderët shqiptarë.

Tepelena e fotografuar gjate luftes se pare boterore nga fotoreporteret franceze

Gjithsesi, ai e justifikon nga ana tjetër vendimin e Fuqive të Mëdha (të cilat ai në artikull i cilëson me termin Europa e bashkuar), me faktin se kishin ekzaminuar rreziqe, të cilat shtetet ballkanike nuk ishin në gjendje t´i dallonin.
Më shumë duket sikur mbizotëron tek ai ideja se Shqipëria duhej të ishte një protektorat i një fuqie të vetme, ndoshta austro-hungareze, ashtu sikurse Bosnja, çka gjithsesi mbetet vetëm një aludim i shprehur në formë jo eksplicite prej tij, duke vijuar t´a vlerësojë si absurditet atë që ai e cilëson  autonomia europiane e Shqipërisë, shprehje të cilën New York Times e ka përdorur, në rastin konkret, për të pagëzuar të gjithë artikullin (shih: Europes Autonomous Albania Absurd, Says prof. Hart; Albert Bushnell Hart; New York Times; 19.10.1913).

Ai u bën gjithsesi një pritë të fortë paragjykimeve ndaj shqiptarëve, duke vlerësuar lart traditat, virtytet dhe historinë e tyre, duke e sjellë atë më pranë lexuesit amerikan. Ai aludon madje edhe për ish-presidentin amerikan, Theodore Roosevelt (në kohën kur shkruhej artikulli i prof.Hart, Roosevelt tashmë i kishte konsumuar dy mandatet e tij presidencialë në periudhën 1901-1909) për të marrë fronin e Shqipërisë, me shumë gjasa, i ndikuar edhe nga lajmet se Europa tashmë po përpiqej të gjente një mbret për shqiptarët. Gjithsesi, Ismail Qemali, siç bënin të ditura edhe vetë mediat amerikane, qysh në maj 1913 e kishte refuzuar një ide të tillë, duke mos e marrë madje, fare seriozisht si propozim.
Por ajo çka vlen më shumë për ne, është fakti se ai na shfaqet njëkohësisht edhe si njëri ndër parashikuesit më të saktë të fatit të Shqipërisë e të shqiptarëve, duke na bërë të mendojmë sot, rreth 100 vjet më pas, se prognozat e tij paskëshin qenë vërtet realiste. Ai e mbyll artikullin e tij me fjalët: askush nga fqinjët ballkanikë të Shqipërisë nuk e ka forcën fizike apo potencialin njerëzor për ta çuar Shqipërinë drejt civilizimit. Dy milionë banorët e saj nuk mund të lihen në fatin e tyre dhe as të fqinjëve të tyre. Ata mund të civilizohen dhe një ditë madje të shndërrohen potencialisht në një fuqi ballkanike; por deri atëherë do të duhet të përjetohen zhgënjime, dështime dhe luftëra civile, para se Shqipëria të mund të bëhet njëra nga anëtaret e familjes botërore të kombeve të lira.

Në krye të artikullit të sipërcituar, ai tenton që në hyrje të thyejë një përcaktim negativ e paragjykues mbi shqiptarët, sugjeruar atij nga një serb, i cili i cilësonte shqiptarët në mënyrë sarkastike e gjithëpërfshirëse, thjesht si plaçkitës e vrasës ordinerë.
Ky karakterizim jashtë kornizave normale pohonte asokohe profesori amerikan përputhet me paragjykimet e çdo njeriu që ka pasur rastin të hyjë në kontakt të ngushtë me popujt e Ballkanit. Grekët erdhën në atë tokë ku jetojnë rreth 25 shekuj më parë; romakët 20 shekuj më parë; bullgarët rreth 11 shekuj; por shqiptarët gjendeshin aty ku janë sot, para se grekët e parë të shfaqeshin në tokë. Ky popull (d.m.th. shqiptarët) flet ende një gjuhë aq të vjetër sa edhe ajo e etruskëve. Ky popull nuk është asimiluar dot kurrë nga pushtimet e po kështu civilizimi s´ka mundur dot të depërtojë.

Më poshtë ai shkruan se: ky popull është malësori skocez i Ballkanit, indiani amerikan që ka akses në vendkalimet tregtare. Ju mund ta urreni një shqiptar apo ta doni atë, ta vrisni apo të shënjestroheni prej tij për t´u vrarë, por ai megjithatë mbetet  unik, dhe, edhe pse pjesërisht barbar, kërcënon të bllokojë të gjitha planet për të zgjidhur çështjen ballkanike.

Pyetjes se ku ndodhet Shqipëria, ai i përgjigjet se shumë nga fqinjët e saj kanë përfytyrime të ndryshme rreth çështjes së kufijve të saj dhe pohon se: Zyrtarisht pritet që një komision i veçantë ndërkombëtar të merret me përcaktimin përfundimtar të tyre, por se Shqipëria në përgjithësi përshkruhet si vendi që ndodhet i shtrirë në bregun Adriatik, nga Mali i Zi deri në brigjet përballë Korfuzit, e duke u shtrirë më pas në brendësi të kontinentit, nga Prishtina drejt Shkupit e Manastirit.
Më poshtë ai përmend se në këto troje (në atë kohë) shqiptarët numërojnë më shumë se 2 milionë banorë, duke parashikuar se, nëse i nënshtrohen një rregulli e qeverisjeje siç duhet, ata kanë prirjen ta shtojnë këtë numër në të ardhmen.
Pasi përshkruan më pas historinë e hershme te tyre, si një vendkalim strategjik në kohën e Perandorisë romake, këta të fundit renditen si të vetmit që arritën t´i fusin përkohësisht shqiptarët në rrugën e rregullit e civilizimit.
Ndërsa konstaton se nga shumë burime Shqipëria përshkruhet në raportet e huaja, e nd

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›