E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza e AP: Nikollç ringjall tensionet ballkanike

Presidenti i ri nacionalist i Serbisë në më pak se një javë që kur mori detyrën, e ka goditur stabilitetin e brishtë të Ballkanit dhe ka vënë hije mbi politikat e tij të proklamuara pro-evropiane, shkruan në një analizë, agjencia e lajmeve, Associated Press.

Kjo agjenci, thotë se ish aleati ultranacionalist i Sllobodan Milosheviçit gjatë kohës së luftës, ka ngjallur tensione në rajonin e trazuar duke deklaruar se masakra e Srebrenicës ku serbët e Bosnjes vranë 8 mijë burra dhe djem myslimanë, nuk ishte gjenocid, por një krim i rëndë.

Agjencia e lajmeve sjell në kujtesë edhe deklaratën tjetër të Nikoliçit se Vukovari është qytet serb.

Këto deklarata kujtojnë epokën e luftës së viteve të 90-ta kur Millosheviçi nisi luftërat në Kroaci e Bosnje për të krijuar një shtet pan-serb pas shpërbërjes së Jugosllavisë, thuhet në analizë.

AP vëren se gjatë fushatës zgjedhore, Nikoliç ka thënë se nga një ekstremist i krahut të djathtë është kthyer në një populist konservator që mbështet integrimin e Serbisë në BE.

Por, ringjallja e nacionalizmit, shkruan AP, ka lëshuar alarmin në rajon dhe mund ta nxjerrë nga binarët ofertën për anëtarësim të Serbisë në BE.

Gjatë inaugurimit të tij, Nikoliç u zotua për raporte të mira me Kroacinë e Bosnjen, por, përsëriti se Serbia duhet të braktisë ambiciet e anëtarësimit në BE, po që se i duhet të heqë dorë nga Kosova.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›