E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza/Fitojnë skuadrat, apo trajnerët?

Skifter KelliciNga Skifter Këlliçi
Boston, SHBA

Vështrim analitik mbi disa dukuri të futbollit të sotëm ndërkombëtar. Rasti i Karlo Ançelotit dhe i Roberto Mançinit në Britani

Gazetari, komentatori sportiv dhe shkrimtari, Skifter Këlliçi, na ofroi këtë shkrim të gjatë rreth disa prej problemeve të mprehta të futbollit në botë, të cilat, në një mënyrë, a në një tjetër, prekin edhe futbollin tonë. Në shkrim mund të ketë edhe pika të diskutueshme. Sidoqoftë po e botojmë.

Pjesa e parë
Gjatë zhvillimit të lojërave olimpike të Mynihut, në shtator të vitit 1972, duke lexuar gazetën Sovjetski Sport,e vetmja gazetë e huaj që mund të lexonim atëherë, madje edhe atë në Bibliotekën Kombëtare, ose të RTVSH-së, ku punoja, më ra në sy titulli i një reportazhi, kushtuar garave të kalorësisë: Fitoi kali, apo kalorësi?, që mu duk disi çuditësh. Çështja ishte se gjatë kapërcimit të një pengese, një kalë kishte ngurruar të kapërcente njërën prej tyre dhe vetëm kur kalorësi mbi të e kishte yshtyr me yzengji në bark, a kërbaç në vithe, e gjora kafshë ia kishte krisur me revan, kishte kapërcyer atë të mallkuar pengesë, që një zot e di se si e kishte topitur për një çast, kishte lënë pas kuaj me kalorës të tjerë mbi kurrizin e tyre dhe kishte arritur i pari. Ndaj edhe gazetari e kishte titulluar reportazhin asisoj, si të nënkuptonte se kujt prej atyre të dyve i takonte të fitonte medaljen e artë
Mu kujtua ky episod kaq i largët, ngaqë në shtypin e huaj dhe doemos edhe atë shqiptar, në radio, a televizion, jo rrallë shkruhet ose flitet se filan trajner ka fituar kaq herë kampionatin kombëtar të vendit të vet, Champions-in dhe aq më tepër një ose disa Evropianë, ose Botërorë futbolli, thua se skuadra me të cilën fiton nuk është gjë tjetër veçse një vegël që ai e vërtit në duar si tia dojë kokrra e qejfit.

Jo, nuk është aspak kështu! Nëse ne, gazetarët, edhe gabojmë kur shkruajmë në këtë mënyrë, në librat sportivë kushtuar historisë së futbollit, në vjetarët e tij statistikorë, kudo në botë, së pari shkruhet emri i skuadrës, sa kampionate ka fituar, kur i ka fituar dhe pastaj shënohet edhe emri i trajnerit që ka drejtuar këto, ose ato skuadra. Pastaj në një zë tjetër shënohen titujt që ka fituar një trajner me skuadra të ndryshme. Ne dimë, për shembull, se Italia ka fituar 4 kampionate botërore, por, me përjashtim të amatorëve të flaktë, vështirë të mbajmë mend emrat e trajnerëve, sepse më e rëndësishme është skuadra fituese dhe pastaj trajneri.

Shkurt, ashtu siç do të përpiqem të argumentoj në këtë shkrim të gjatë, një trajner nuk mund të fitojë pa një skuadër të mirë, kurse një skuadër e mirë mund të fitojë edhe me një trajner jo aq të mirë sa skuadra.
Duket e çuditshme, por ja që është e vërtetë.

Nga 1 qershori i vitit 2008 dhe deri më 9 shkurt të vitit 2009 Chelsea-n e multimiliarderit rus Abramoviç, e drejtoi Skolari, pikërisht ai trajner që më 2002 kishte qenë në krye të Brazilit, kampion i botës më 2002, nënkampion i Portugalisë më 2006, dhe çerekfinalist i Botërorit 2006, në Gjermani. Mirëpo, nga që nuk po i ecnin punët mbarë, Abramoviçi tekanjoz, si presidentë të tjerë që i duan rezultatet tak-fak, me një të rënë të lapsit i shleu hesapet me të, ashtu si një vit më parë me Murinjon, dhe vuri në krye të Chelsea-t Avram Grantin, emri i të cilit mbetej në hije para emrave dy të mësipërmve. Dhe kjo sepse ai njihej deri atëherë vetëm si trajner përfaqësues izraelite, (2002-06), pastaj si trajner i Portsmuthit dhe, duke qenë mik i Abramoviçit, (të dy hebrenjtë), u ftua të ishte, së pari drejtor teknik, pastaj trajner i Chelsea-t.

Mirëpo, si për ironi të fatit, për ato muaj që u ndodh më krye të kësaj skuadre, Granti arriti që ajo të bëhej nënkampione pas Manchester United legjendar dhe, për më tepër, u ndodh përballë tij edhe në finalen e Ligës së Kampionëve të zhvilluar në Moskë në maj të vitit 2008, ku humbi vetëm me 11-metërsha 6-5, pasi, siç dihet, Territ i rrëshqiti këmba në fushën e tejet lagur nga shiu dhe nuk gjuajti saktësisht 11-metërshin e tij…
Mos ndoshta Granti qenkësh trajner më mirë se Skolari? Jo, por ishte skuadra, vetë lojtarët që dalëngadalë gjetën formën e tyre, për arsye të ndryshme, të munguar në javët e para të Premier Ligës dhe Chelsea arriti nivel të lartë dhe dy vende të dyta prapa një skuadre të madhe si Manchester United. Dhe duke e marrë me mend se Granti vështirë se do ta përsëriste këtë sukses, Abramoviçi e zëvendësoi atë me Ançelotin. Dhe ndodhi ajo që ndodhi. Nga Portsmuthi të cilin e drejtoi për një vit pa sukses të dukshëm, Granti kaloi te Uest Hemi, që u rendit në vendet e fundit të kampionatit anglez.

Përse? Sepse në këtë skuadër nuk kishte yje të tilla si portieri Ceh, mbrojtësit Terri, Koul, mesfushorin Lampard, sulmuesit Drogba, Anelka, (këta dy të fundit tashmë të larguar nga kjo skuadër). Po ti kishte, nuk është çudi që të ndodhej përsëri në elitën e futbollit anglez.
ancelottiAbramoviçi e zëvendësoi pra Grantin as më shumë dhe as më pak, por me Ancelotin. Emër shumë madh: nën drejtimin e tij (2001-2009), Milani fitoi një kampionatin italian (2004), dy herë Ligën e Kampionëve (2003, 2007) dhe ishte finalist i viti 2005, kur humbi me 11-metërsh në finalen me Liverpulin, pasi udhëhiqte në pjesën e parë 3-0, dhe po anë ato vite edhe Superkupën evropiane, kampionatin botëror midis klubeve më 2007, që ishte kulmi i kësaj skuadre, me yje të tillë, si Maldini, Nesta, Kostakurta, Sedorfi, Kakaja, Pirlo, Shevcçnko, Gatuzo, por që më pas pësoi rënie, të dukshme, nuk fitoi asgjë në arenën ndërkombëtare, madje rrëshqiti teposhtë në kampionatin italian.
Përse? Sepse Ançeloti harroi si kryhet detyra e tij?Jo, por lojtarët e mësipërm nuk ishin më të mëparshmit , se nisën të mplakeshin. U largua së pari Shevçenko, dhe bëri gabim se nuk gjeti vend në skemat e Murinjos, u largua pastaj edhe Kakaja, krenaria e milanezëve, që vajti te Reali i Murinjos ku si i pari mbeti në stol. .

Ndaj edhe Ançeloti e kuptoi se era e tij te Milani kishte perënduar dhe më 1 qershor të vitit 2009 filloi haxhillëkun përtej La Manshit me Çelsin e Abramoviçit. Klub i ri, lojtarë të tjerë, më të fuqishëm se sa ata të Milanit, që përmenda më sipër.

Dhe ja, në sezonin 2009-2010, pas një agjërimi të gjatë Ançelotit i buzëqeshi fati: Çelsi i tij gjeti… çelësin e suksesit në Premier Ligë? Po ai trajner që dështoi dy vjet radhazi me Milanin. Pa dashur të ul aftësitë e Ançelotit, ishte skuadra që, pasi kishte fituar në drejtimin e Murinjos dy kampionate radhazi, (2005, 2006), tani fitonte përsëri.
Mirëpo gjatë sezonit 2010-2011 Celsi u lëkund si një barkë në mes të tallazesh të furishme të një oqeani. Humbje, barazime, pak fitore, aq sa në shtypin anglez, duke u nisur nga huqet e Abramoviçit, që i pati larë hesapet me Murinjon dhe Skolarin, për të cilët fola më sipër, u hamendësua largimi i tij
Çkishte ndodhur? Ishin po ata lojtarë që kishin ngadhënjyer një vit më parë, ishte po i njëjti trajner!…

Ka disa arsye: së pari, se edhe skuadrat e tjera nuk dremitin. Të përforcuara edhe me legjionarë të rinj, ato kanë ngritur nivelin e tyre, (kujtoni vetëm Mançester Sitin e Mançinit). Por, ajo që është më e rëndësishme, edhe legjionarët celsianë, siç e kemi parë: portieri Çeh, Anelka Drogba, Maluda, Kalu, nuk ishin më të parët, e bashkë me ta Terri, disa herë i dëmtuar, por dhe Lampardi… Pra, n

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›