E Diel, 1 Nëntor 2026

Anan: Shkupi gati për zgjidhje të emrit, Athina nuk do

Ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan ka deklaruar se kontesti i emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë është shembulli i vetëm në historinë e një shtetit që i mohohet emri nga një fqinj i saj dhe se sipas tij, Athina nuk ka qenë e përgatitur për t`u zgjidhur kjo çështje.

“Është për keqardhje që kjo çështje është shtyer shumë gjatë”, deklaroi Anan, duke i`u përgjigjur pyetjes së një gazetari gjatë paraqitjes së tij në Institutin Brukings në Uashington.

Anan, i cili ka qenë kreu i OKB-së gjatë viteve 1997-2006, ka theksuar se Maqedonia dhe Greqia kanë qenë afër zgjidhjes së kontestit të emrit gjatë mandatit të tij, dhe se Maqedonia ka qenë e gatshme për zgjidhje, ndërsa Greqia nuk ka dashur ate.

“Dy vendet po bisedojnë për kontestin tashmë gjatë kohë. Emisari special po punon për këtë çështje, dhe ai është një nga emisarët me mandat më të gjatë. Dy vendet në një moment ishin para zgjidhjes, por propozimi ra. Nuk jam i sigurt se Greqia do të pranonte një propozim të emrit, i cili do të përmbante emërtimin Maqedoni, për të cilin është dakorduar Shkupi. Negociatat për këtë çështje po vazhdojnë, por rajoni ka prioritete dhe sfida të tjera. Nuk mund të them se kjo do të ndihmojë në zgjidhjen e këtij kontesti apo do të komplikojë ate, për shkak se nuk jam afër këtyre ngjarjeve”, ka theksuar ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›