E Enjte, 5 Nëntor 2026

Anastas Angjeli nderohet me çmimin “Books for Peace 2024”, për kontribut në dobi të paqes

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Anëtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Anastas Angjeli u vlerësua me çmimin ndërkombëtar “Books for Peace 2024”, për kontributin e tij në dobi të paqes.

Çmimi iu dorëzua gjatë një ceremonie të veçantë që u zhvillua në godinën e Parlamentit Europian të Italisë, në sallën “David Sassuoli”.

Prof. Antonio Imeneo, presidenti i organizatës ndërkombëtare “Books for Peace”, i dorëzoi çmimin akad. Anastas Angjelit në praninë e një audience të zgjedhur vendase e ndërkombëtare, politike, diplomatike dhe me përfaqësues të medias.

Konferenca me temën “Qytetarët e botës, kultura për një paqe të shëndoshë dhe të qëndrueshme”, u hap nga akad. Anastas Angjeli. Ai prezantoi kumtesën “Paqja dhe zhvillimi i qëndrueshëm: Prosperitet global për qytetarin global”.

Përmes këtij prezantimi shkencor akad. Angjeli evidentoi lidhjen e thellë midis zhvillimit të qëndrueshëm dhe paqes e karakterin shumëplanësh të saj, duke nënvizuar rëndësinë e ndërlidhjes dhe bashkëpunimit, si dhe qasjet e integruara të zhvillimit të qëndrueshëm.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›