E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ançeloti: Do të vazhdoj ta refuzoj Çelsin e Abramoviç

Roman Abramoviç e tërheq nga njëra anë, Florentino Perez nga ana tjetër, ndërsa Silvio Berluskoni është i vetmi që nuk shqetësohet. Karlo Ançeloti shikon e dëgjon gjithçka dhe në fund reagon. Pas shtatë vitesh e tre muajsh, marrëdhënia me Milanin duket se është drejt fundit. Më shumë se kurrë. Të mos harrojmë se verën e kaluar Ançeloti kishte takuar pronarin e Çelsit, duke refuzuar propozimin për të marrë vendin e Grant. Sigurisht, bëhet fjalë për një zgjedhje jo të dëshiruar, madje ndoshta e detyruar nga urdhrat e drejtuesve kuqezinj. Nga njëra anë, Milani paralajmëron gjithnjë e më shumë se, mund t‘ia besojë skuadrën një tjetër trajneri. Nga ana tjetër, Karlo Ançeloti po bën llogaritë, se ndoshta ka ardhur ora për të gjetur një tjetër vend, që mund t‘i dhurojë kënaqësi profesionale. Është vënë në shënjestër nga Çelsi dhe kjo është e njohur tashmë. Ndërsa në këtë konkurrencë është dhe Real Madrid. Florentino Perez shumë shpejt do të prezantojë programin e tij elektoral, ku duket se ka futur edhe emrin e trajnerit italian. Javët e ardhshme do të jenë vendimtare. Për 1 mijë arsye, duke filluar që nga gjuha, Ançeloti pëlqen më shumë idenë për të zbarkuar në kryeqytetin spanjoll, se sa në atë anglez. Por ai ka vendosur të reagojë në mënyrën e tij. Është një Ançeloti në 360°, ky që rrëfehet pak ditë para derbit. Trajneri i Milanit del zbuluar dhe u përgjigjet të gjithëve dhe për gjithçka. Por, në thelb është një tjetër refuzim për Roman Abramoviçin. Çelsi e kërkon Ançelotin dhe nuk ka nxituar, duke synuar ta bindë atë avash-avash që ta pranojë detyrën në muajin qershor. Kontaktet nuk i mohon askush, madje ka qenë vetë trajneri i Milanit ai që i ka konfirmuar në një intervistë të dhënë dje. "Për sa i përket të ardhmes sime, unë jam i qetë, ka thënë Ançeloti. Konkretisht, i vetmi klub që ka zyrtarizuar ofertën për mua është Çelsi. Në verë e kam takuar Abramoviçin, por nuk dëshiroja të ikja nga Milani. E njëjta gjë ndodh edhe tani, unë nuk mendoj të largohem. Abramoviçit do t‘i them sërish jo". Batuta të pakta, por që nuk lënë hapësirë për ndonjë tratativë, të paktën jo për momentin. Megjithatë ende nuk është i qartë se cili do të jetë fati i tij në këtë fundvit. Emrat për pasuesin e tij kanë dal në skenë dhe asnjë prej tyre nuk duhet nënvlerësuar: Roberto Donadoni dhe drejtori teknik Leonardo. Braziliani frekuenton kursin e trajnerëve të kategorisë së dytë dhe në fund të sezonit mund të marrë një vlerësim me çmim, pasi ka mundur të fitojë Botërorin si lojtar. Prandaj mund të konsiderohet në garë, por është e vështirë të përcaktosh se në cilin pozicion do të renditej. Milani uron të shijojë fitore të tjera me Ançelotin në pankinë. Megjithatë, kontrata mes tyre skadon në vitin 2010 dhe për ta prishur do të duhej një vendim konsensual. Një fundsezoni pa trofe mund të sjellë një ndarje fatale mes tyre. Prandaj edhe ky derb mund të jetë i fundit për "erën" Ançeloti.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›