E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maradona: Franca, qesharake përballë nesh

Paraqitja e jashtëzakonshme e Argjentinës në miqësoren me Francën ka entuziazmuar Diego Armando Maradonën. Pas fitores 2-0 në Marsejë, legjenda e futbollit botëror "thumboi" skuadrën e drejtuar nga Rajmond Domenek, duke deklaruar se në momente të caktuara, skuadra e tij dukej sikur tallej në fushë. Me golat e Gutierrez dhe Lionel Mesit, tekniku fitoi edhe betejën me kritikët. Të gjithë mendonin se argjentinasit do të vuanin, sepse shumë lojtarë ishin të padisponueshëm për këtë ndeshje, por Maradona tregoi besim te grupi që kishte në dispozicion dhe skuadra e shpërbleu, duke zhvilluar një lojë spektakolare. "E kishim të qartë se për të fituar duhej të ruanim të njëjtin nivel loje, ashtu si në 30 minutat e para të sfidës me Skocinë. Ia arritëm këtij qëllimi dhe në disa pjesë të lojës e bëmë Francën të dukej qesharake", deklaroi Maradona për "La Nacion". "Mendoj se e kontrolluam më mirë kundërshtarin në pjesën e dytë të ndeshjes. I mbyllëm mirë hapësirat. Në lojën e saj, Franca varet shumë nga Riberi dhe ne tentuam ta neutralizonim gjatë gjithë kohës. E kishim studiuar stilin e tyre dhe mënyrën sesi mund të luanin, ndërkohë që lojtarët reaguan shumë mirë ndaj detyrave që kishin. Ishte një paraqitje mjaft pozitive. Skuadra e kuptoi se duhej ta zotëronte më shumë topin, pasi kundërshtarët ishin të një niveli të lartë. Gjithsesi, nuk mund ta mohoj se patëm disa probleme, prej dëshirës për të shkuar gjithmonë në portën kundërshtare. Duhet të mësojmë të luajmë pa menduar se sa herë kemi topin mund të sulmojmë, ndonjëherë duhet ta ulim ritmin e kundërshtarit. Në Argjentinë ka shumë kandidatë për në ekipin përfaqësues, por për të qenë pjesë e skuadrës, ata duhet të luajnë shumë mirë. Kontingjenti që kisha në dispozicion tregoi një nivel mjaft të lartë loje. Kjo më krijon besim për të ardhmen, ku pavarësisht nëse mund të mungojë ndonjë lojtar, ne e dimë që kemi një grup të jashtëzakonshëm. Ndihem krenar për këtë ndeshje. Duhet të fitojmë, në mënyrë që futbollistët të kenë besim te vetvetja. Gjithashtu iu përgjigjëm të gjithë atyre kritikëve që mendonin se skuadra jonë nuk ka shumë eksperiencë". Lojtari kryesor në triumfin me Francën ishte i zakonshmi Lionel Mesi. Ylli i Barçës mori lëvdatat e Maradonës, që vetëm përpara një viti e kishte akuzuar se është shumë egoist në mbajtjen e topit. "Paraqitja e Leos ishte fantastike. Topi është si një pjesë e trupit të tij dhe kundërshtarët e kanë të pamundur t‘ia largojnë nga këmbët, shtoi trajneri. Ai e ndihmoi skuadrën në momentet kur shokët kishin nevojë. Në minutat e para të lojës, repartet qëndruan shumë të distancuar, por në disa raste Mesi dhe disa herë Aguero e zgjidhën këtë problem".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›