E Diel, 1 Nëntor 2026

Andi Lila: “Tiranë, unë dua të luaj jashtë”Mbrojtesi i Kombetares dhe i Tiranes: Ëndërroj një klub të rëndësishëm jashtë vendit, kam oferta. Unë shpresoj…”

Andi Lila ka treguar një formë mjaft të mirë dhe përgjatë gjithë sezonit që përfundoi ka qenë një nga lojtarët më me peshë në repartin difensiv. Drejtuesit bardheblu kanë shprehur dëshirën që Lila të jetë sërish pjesë e Tiranës dhe në sezonin e ardhshëm, por diçka e tillë ende nuk është vendosur zyrtarisht pasi në drejtim të 23 vjeçarit ka disa oferta nga disa klube të huaja. Për Lilën në Shqipëri, Tirana është zgjedhja e parë dhe e vetme dhe se ai nuk ka ndërmend të nënshkuar për ndonjë klub tjetër veç bardhebluve. Java që vjen do të jetë vendimtare për të ardhmen e mbrojtësit që do të bëjë zgjedhjen e tij, duke vendosur përfundimisht nëse do të pranojë ofertën e Tiranës apo do të provojë një aventurë jashtë vëndit.

Tirana ka përcaktuar më në fund se kush do të sponcorizojë skuadrën në sezonin e ardhshëm. Keni pasur kontakt me drejtuesit e klubit?

Po, kam kontaktuar vazhdimisht me kryedonatorin Halili dhe marrëdhëniet kanë qenë gjithmonë shumë të mira. Në ditën e djeshme kam folur në telefon me Halilin, por nuk diskutuam detaje konkrete. Thjesht folëm dhe i shprehëm njëri-tjetrit dëshirën e përbashkët për të vazhduar bashkpunimin.

Do të vazhdoni të qëndroni në Shqipëri apo mendoni të transferoheni në ndonjë kampionat të huaj?

Oferta kam pasur por deri tani nuk ka asgjë konkrete. Dëshira e çdo futbollisti profesionist në moshën time është që ti jepet mundësia të provojë të luaj në ndonjë kampionat të fortë europian me ndonjë skuadër të madhe. Nuk e di sa e realizueshme është diçka e tillë, por besoj se ndoshta mund të më krijohet një mundësi. Nuk dua të bëj publik emra skuadrash që kanë shprehur dëshirën për të më pasur në skuadër por do të pres se cilat do të jenë zhvillimet në ditët që vijnë.

Për Lilën, Tirana është zgjedhja e vetme në kampionatin shqiptar apo mund të ketë edhe ndonjë ekip tjetër që nëse të bën ndonjë ofertë të mirë nuk do ta refuzoje?

Që kur u afrova te Tirana në verën e kaluar kuptova që ishte klubi më i mirë në Shqipëri dhe kam kaluar një vit të mrekullueshëm. Për më tepër që jam dhe tifoz i Tiranës. Tirana është e vetmja zgjedhje që unë do të bëj në kampionatin shqiptar edhe nëse do të më ofronin klube te tjera, nuk do të pranoja asnjë ofertë. Në ditët e fundit drejtuesit e Dinamos kanë tentuar të nisin tratativat për ndonjë transferim të mundshëm por është diçka që nuk realizohet. Tirana është ekipi që unë do të zgjedh nëse qëndroj në Shqipëri.

Tirana do të luajë në mesin e korrikut në ligën e kampionëve…

Unë do të jem pjesë e Tiranës në ligën e kampionëve edhe nëse do të arrij të transferohem në ndonjë skuadër të huaj. Dua të kontribuoj për Tiranën në mënyrë që të arrijmë të kalojmë të paktën një tur. Kjo skuadër është mësuar që të bëjë paraqitje të mira në arenën ndërkombëtare dhe kam besim që nëse do të ruhet grupi që u shpall kampion në 23 maj. Mund të duhet ndonjë përforcim dhe besoj se mund të bëjmë diçka mjaft pozitive.

E Diele, 14 Qershor 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›