Andis Gjoni: Ndihem shqiptar si njeri, por jo si krijues

Artisti Andis Gjoni
Artisti rrëfen rritjen e tij artistike, largimin e krijimtarinë.
Fryma e veprave të mia është revolta dhe provokimi, duke shkaktuar reaksion zinxhir te shikuesi
Prej vitesh, piktori dhe skenografi Andis Gjoni e zhvillon karrierën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë të gjatë, ai shpjegon që nga vendimi për tu larguar nga Shqipëria, te koncepti i tij për artin pamor e bashkëkohor, te mënyra e të punuarit dhe aktivitetet e rëndësishme ku ka marrë pjesë.
Ju jetoni jashtë Shqipërisë prej shumë kohësh. Cilat kanë qenë arsyet e largimit?
Arsyet se përse njeriu vendos të largohet janë të ndryshme, siç e thotë dhe shprehja të largohesh është njësoj sikur të vdesësh nga pak. Largimi në vetvete përfshin jo vetëm zhvendosjen fizike, por edhe shkëputjen mendore nga një situatë, pjesë e së cilës ke qenë për një periudhë të gjatë të jetës. Figurativisht do thosha që ndjekja e ëndrrës sime artistike më ka bërë që të largohem kaq larg. Arti është thelbi i ekzistencës së çdo artisti dhe ashtu si lundërtari që kërkon tokën e premtuar, edhe artisti kërkon të lundrojë në detra të panjohur të zbulimit artistik. Ujërat që ke pranë nganjëherë janë vetëm pellgje të vogla që nuk e përmbushin dot kërkesën artistike, e prandaj artisti gjithmonë niset në kërkim të rrugëve të reja. Pasi arrin një nivel të caktuar, ai hedh hapin për më tej. Me sa duket, hapi i radhës ishte më i madhi që mu desh të hidhja. Ndoshta përballja me artin bashkëkohor ishte më e prekshme në hemisferën tjetër, ku qendra e influencës ka më se gjysmëshekulli që ka anuar, megjithëse në morinë e bienaleve dhe panaireve të artit që organizohen sot në botë, është e vështirë të thuhet se ku është qendra. Prapë se prapë, ideja e një përballjeje shpreh karakterin tim pak rebel, në kërkim të sfidave të reja, në kërkim të rrugëve të reja, të cilat mund të zbulohen vetëm duke u përballur me artin më të mirë të krijuar në kohën kur jeton. Dihet tashmë që bota sot është bërë shumë e vogël, në epokën e internetit dhe Facebookut asgjë nuk është larg. Mund të jesh me mijëra kilometra larg e njëkohësisht të ndihesh shumë më i informuar, ndoshta largësia fizike mbetet, por ajo informative vjen duke u zvogëluar dhe vjen një çast që bëhet më me peshë dhe ndoshta e zhduk fare idenë e largësisë si koncept. Pra jemi në epokën e zhdukjes së konceptit «afër dhe larg». Nga ana tjetër, për mua nuk ka rëndësi vendi se ku ndodhem. Studioja ime mund të jetë kudo, sepse unë gjithmonë e kam ndier veten qytetar i botës. Mjafton të ulem në një tavolinë dhe me mjete minimale mund të krijoj, idetë burojnë dhe kjo është më e rëndësishmja. Nga ana tjetër, nuk mund të them se realiteti i vështirë i një vendi në tranzicion nuk qe një shtysë tjetër, pjesë e një traume të përgjithshme shoqërore që bëri të largohen shumë artistë dhe intelektualë nga vendlindja.
Krijimtaria është çështja e parë e ditës për ju, apo mbijetesa?
Unë e di që artisti edhe pa bukë mund të mbetet, por përsëri pasionin e ruan që të krijojë art edhe nga asgjëja. Sigurisht, për mua krijimtaria është gjëja më e rëndësishme, siç ka thënë Gustav Floberi Për një artist ka vetëm një parim: të sakrifikojë gjithçka për artin. Jeta duhet trajtuar si një mjet drejt një fundi, asgjë më tepër. Çdo mëngjes kur hap sytë, mendoj: Çdo krijoj sot? dhe po ashtu çdo natë para se të fle, pyes veten: Çfarë krijova sot?. Sa i lumtur ndihem kur qoftë edhe diçka që ka lidhje me artin e kam realizuar atë ditë, qoftë edhe thjeshtë përkthimin e një faqeje të ndonjë libri arti. Edhe ky fakt i vetëm më bën të ndjehem mirë, sepse mendoj se e kam kryer detyrën time. Keiti Kolluic e përmbledh shumë bukur këtë ndjenjë, kur shprehet se: «ditët kur krijoj, janë ditët më të bukura». Po aq e vërtetë është e kundërta, sa të trishtuar e ndiej veten kur ndonjëherë mes peripecive të ndryshme të jetës më ka ikur dita pa hedhur qoftë edhe një skicë. Hidhërohem, sepse e ndiej që ajo ditë nuk vjen më dhe ndoshta një vepër e kam humbur. Sepse frymëzimi nuk dihet se kur të vjen, ti duhet të jesh gati, kjo është detyra jote si artist. Dhe ne artistët nuk kemi nevojë shumë për komoditete.
Cili qe momenti i parë i angazhimit tuaj në ekspozimet në vendin ku jetoni dhe në konkurset ndërkombëtare?
Unë kam marrë pjesë në pak ekspozita, dhe kjo për arsye të zgjedhjes sime të vetëdijshme për të qëndruar larg komercialitetit. P.sh., vlera e një artisti sot matet me numrin e madh të pjesëmarrjeve në ekspozita të ndryshme. Sa më shumë të jesh i ftuar, aq më i «zoti» je. Qoftë edhe nëse e ke realizuar këtë me një video të vetme, të cilën e ke çuar në të gjitha aktivitete ku ke marrë pjesë. Pra e shikoni, që në këtë çast kemi të bëjmë me një mashtrim, me një zhvlerësim. Kjo logjikë ka sjellë edhe zhvlerësimin e artit në përgjithësi. Shijet artistike shkatërrohen edhe në bazë të modës artistike që krijohet artificialisht, artistit i duhet të ndjekë një ritëm të imponuar. Si rrjedhojë, biografitë zgjaten si gjarpërinj të suksesit që konfirmojnë prirjen drejt një konsumizmi pamor, dhe shtyjnë në zvetënimin e vlerave më thelbësore të artit. E çvlerë ka kjo rendje drejt konfirmimit? Në morinë e miliona artistëve, a ka vlerë ky vrap për të marrë një dekoratë të pavlerësisë? Motoja ime faktikisht është e njëjtë me artistët DaDa, Poshtë galeristët! sepse janë shumica e tyre që e kanë shkatërruar dhe deformuar artin, duke krijuar këtë sistem të tejngopur vlerash që kontrollon gjithë venat e krijimit dhe dikton shijet, duke shkatërruar në të njëjtën kohë spontanitetin e një arti të krijuar vetëm për kënaqësi, e jo për sukses. Nga njëra anë, ky lloj pozicionimi e ka kufizuar në mënyrë të vetëdijshme mundësinë time për tu shfaqur, nga ana tjetër më ka lënë fushë të lirë veprimi për të krijuar atë që dua, duke i ndenjur konstant vetvetes në kërkesën për përsosmëri, sipas botëkuptimit tim.
Cila ka qenë pjesëmarrja juaj më e fundit në një veprimtari të rëndësishme?
Një nga veprimtaritë, ku kam marrë pjesë së fundi, ka qenë ekspozita në «Tempullin e Rinisë» në Nju Xhersi. Jam paraqitur me disa punime, ndër të cilat do veçoja një punim në fotografi të alternuar me teknikën e temperas. Në të paraqitet një pjatë e vendosur mbi një tavolinë gati për tu konsumuar, e cila është e mbushur me fishekë, bomba dhe armë, me një fjalë e mbushur me dhunë. Simbolizon shoqërinë në përgjithësi, të mbushur me dhunën që ka përfshirë çdo aspekt të jetës sonë. Ideja është që ne ushqehemi me dhunë përmes TV, librave, revistave, filmave, video-lojërave. E kemi dhunën ushqimin tonë të përditshëm, prandaj u shtyva të krijoj këtë foto pikturë. Teknika që kam përdorur e bën ironikisht më artistike logjikën e të palogjikshmes, duke vënë përballë faktin e instrumentalizimit të dhunës në një art më vete. Ne jemi pjesë e saj dhe po ashtu shkaktarë dhe pësimtarë të shkallëzimit të fantazisë së luftës që po na ndjek për fat të keq në çdo etapë të zhvillimit shoqëror, duke neutralizuar me sukses deri më sot të gjitha përpjekjet e njerëzve të arsyeshëm e me vizion për një botë pozitive ku të mbizotërojnë paqja dhe prosperiteti, pa egërsi, pa luftë dhe pa arrogancë. Unë përpiqem ta vë në dukje këtë dështim të shoqërisë në këtë drejtim, duke theksuar atë manipulim që pëson qenia jonë e bombarduar pa pushim dhe gjithë kohës me negativitet dhe dhunë.
Jam gjithmonë në kërkim. Mundohem ti largohem frymës fetishe, që nxit stanjacionin tek artisti. Fryma e veprave të mia është ajo e revoltës dhe provokimit, duke shkaktuar një reaksion zinxhir te shikuesi në mënyrë që impakti të jetë sa më i fortë dhe të shkundë nga themelet qenien njerëzore, syno