E Diel, 1 Nëntor 2026

Andy Burnham, kreu i laburistëve-Pasuesi i Starmerit: Gati të udhëheqë vendas

Andy Burnham është konfirmuar si kryetar i ri i Partisë Laburiste në Britani dhe pritet që të hënën të nisë detyrat si kryeministër. Ish-kryebashkiaku i Manchesterit të Madh arriti të sigurojë 379 nga 403 votat e ligjvënësve të partisë së tij, në një garë ku ishte kandidati i vetëm për drejtimin e laburistëve. Burnham do të zëvendësojë në këtë post ish-kreun e laburistëve, Keir Starmer.

Në një konferencë të veçantë, Burnham – i njohur edhe me nofkën “Mbreti i Veriut” për shkak të vendosmërisë për të mbrojtur interesat e Manchesterit të Madh – u shpreh se është i gatshëm për pushtet dhe se do të punojë për t’i rikthyer shpresën qytetarëve të vendit. Ai theksoi se stili i tij është të dëgjojë njerëzit dhe kjo nuk do të ndryshojë.

“Do të jem një udhëheqës për veriun, jugun, lindjen dhe perëndimin, për Skocinë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut,” deklaroi Burnham, duke shtuar se dëshiron një politikë të re të bazuar në zgjidhjen e problemeve. “Do të punoj për të ndërtuar një politikë të re, për të cilën vendi ka shumë nevojë.”

Ai kritikoi politikanët që, sipas tij, i drejtojnë gishtin njëri-tjetrit ndërkohë që standardet e jetesës po bien. “Politika si e tërë nuk po funksionon për njerëzit. Përkundrazi, ajo po i zemëron dhe po i bën të humbasin interesin për të,” theksoi Burnham, duke e cilësuar zgjedhjen e tij si mundësinë e fundit për ndryshimin e rrjedhës politike të Partisë Laburiste.

Ndër premtimet e tij kryesore janë decentralizimi i pushtetit dhe një qasje pro-biznesit. “Mos kini asnjë dyshim se do të jem një udhëheqës i Partisë Laburiste që mbështet biznesin, ashtu siç bëra kur drejtoja Manchesterin e Madh,” u shpreh ai, duke sqaruar se fjala e tij është për bizneset e vogla vendore, si lokalet dhe dyqanet, dhe jo për korporatat e mëdha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›