E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anelka nuk flet

Sulmuesi francez, Nicolas Anelka është urdhëruar nga klubi i tij Chelsea të mos diskutojë publikisht rreth përjashtimit të tij nga Kampionati botëror, ka njoftuar vëllai i tij, Claude Anelka.

“Klubi i ka thënë të mos japë komente, është mirë të presë përfundimin e Kampionatit botëror, para se të flasë”, tha Claude për RTL Radio.

“Ai nuk dëshiron të përkeqësojë situatën dhe është më së miri të presim përfundimin e Kampionatit për të sqaruar gjithçka”, shtoi ai.

Anelka ishte përjashtuar nga ekipi i Francës në Botëror, pas fyerjeve ndaj selektorit Raymond Domenech në humbjen 2-0 nga Meksika, të premten.

“Vëllai im është i qetë. Diçka ndodhi, por ne do të presim derisa ai të paraqitet në një konferencë për shtyp dhe të japë anën e tij të tregimit”, përfundoi Claude.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›