Anëtarësia e PD do t’i besojë kandidatit që garanton fitoren, arritjen një orë e më parë të ardhjes në pushtet
Intervista/Flet deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj
“Berisha duhet të mbetet violinë e parë në PD. Figura e Berishës jo vetëm brenda PD-së por në të gjithë ambientin politik është figura me të gjitha dimensionet më të mëdha. Zoti Berisha jo vetëm duhet të jetë aty, por duhet të jetë garanti i gjithë zhvillimeve të mëtejshme dinamike në PD”. Kështu shprehet në një intervistë për emisionin “Prizëm” në Albanian Screen, deputeti Enkelejd Alibeaj, duke analizuar situatën brenda PD-së, pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Sipas tij, z.Berisha ka një kontribut historik për PD-në dhe pluralizmin shqiptar dhe roli i tij është i pazëvendësueshëm. Teksa flet për shkaqet e humbjes në 23 qershor z.Alibeaj rendit disa, por ndër to veçon shkëputjen nga baza dhe arrogancën e ministrave. Ai vijon se, “rëndom në ambientet e PD-së thuhej se telefonin e hap zoti Berisha nuk e hap asnjë nga ministrat”. Garën brenda PD-së z.Alibeaj e cilëson serioze dhe shprehet se, “anëtarësia e PD do t’i besojë kandidatit që projekton vazhdimin e opozicionit të PD-së dhe arritjen një orë e më parë të ardhjes në pushtet”.
A është e vërtetë gara në PD, si mendoni ju?
Kjo është një garë e vërtetë, është një garë reale, është një garë e tillë se nuk ka sesi të ishte ndryshe. Është garë e tillë nisur nga disa indikatorë, së pari nisur nga silueta politike e secilit prej konkurrentëve, kjo do të thotë që secili prej tyre ka një siluetë të fortë konsistente deri në elitën më të lartë të PD, që do të thotë dhe në aspektin njerëzor, askush nuk do të donte të ishte i përdorur në këtë rast, dhe ky është indikator që lind thjesht dhe vetëm nga karakteri i secilit prej tyre. Së dyti mënyra dhe fryma sesi u ngjiz kjo garë që filloi që nga rasti e dorëheqjes së kryetarit të partisë zoti Berisha, i cili në mënyrë të natyrshme, e si rrjedhojë logjike rezultatit, bëri atë që kishte thënë më parë, një dorëheqje e qartë pa asnjë lloj mëdyshje. Një dorëheqje që në mënyrë të logjikshme kërkonte një orë e më parë një zëvendësim real, në kuptimin jo vetëm të drejtimit por edhe të frymës të atij personi që do të duhet të drejtojë të gjithë trupën elektorale dhe jo vetëm të PD. Një arsye e tretë është ajo pragmatiste. Një kryetar partie i cili do të duhet të dilte nëse do të dilte nga një teatralitet politik midis një kryetari të paravendosur dhe një tjetri i cili luan rolin e kukullës, absolutisht nuk do të ishte i dobishëm për askënd. Një arsye tjetër akoma e më e fortë është që vetë korpusi i demokratëve ka inteligjencën, ka zgjuarsinë ka nuhatjen për të kuptuar ose nëse do të ishte apo është një garë false. Jo vetëm kaq pasi këto ishin perceptimet e para, por duke parë edhe procesin e garës absolutisht duke qartë që gara është e tillë për këdo skeptik të mundshëm.
Ju vetë Zoti Alibeaj jeni i përfshirë në fushatë për njërin apo tjetrin kandidat?
Unë kam preferencën time, dhe të gjithë ata që më njohin, të gjithë kolegët e mi nuk do të kenë asnjë lloj vështirësie për ta kuptuar se për cilin në një farë mënyre kam simpati për drejtimin e ardhshëm të PD-së. Për të mos prishur po themi garën e ndershme, për të mos infektuar për aq sa ç’mundet një deklarim publik i imi në ato dimensione të cilat unë përfaqësoj, më lejoni të mos e shpreh publikisht. Ajo që mund t’ju them është që zgjedhja, simpatia apo dashamirësia për secilin nga kandidatët bazohet jo thjesht dhe vetëm në njohje personale, jo në atë çfarë janë duke shpalosur si njëri apo tjetri. Më duhet të them se deri diku tezat janë të ngjashme, por e kam bërë arsyetimin tim në këtë lloj simpatie tek fakti i asaj çfarë do të përfaqësonte pas datës 22 njëri apo tjetri. Dhe për korpusin e PD, për votuesin e PD ajo që është e rëndësishme nuk është thjesht dhe vetëm simpatia që krijohet gjatë fushatës elektorale, por edhe se si e projekton vazhdimin e opozicionit të PD-së dhe arritjen të një orë e më parë të ardhjes në pushtet të PD-së.
Zoti Alibeaj përse humbi PD-ja?
Po bëj analizën për të dalë pastaj tek konkluzioni. Pati një lloj thyerje të madhe të psikozës politike dhe qeverisëse në vitin 2009 dhe këtu i referohem koalicionit të bërë me LSI-në. Ishte një kalim i madh politik, etik, në kuptimin politik të fjalës. Një forcë e majtë me një forcë të djathtë e cila injektoi edhe në anëtarësinë e PD-së një ndryshim të madh psikologjik për të gjithë kulturën e tyre demokratike dhe politike që ishte krijuar deri në atë kohë. Deri në vitin 2009 konturet e ndarjes i majtë/ i djathtë bashkë me të gjithë nostalgjinë politike bashkë me të gjithë vlerësimin reciprok të të dy krahëve politik ishin qartësisht të ndarë.
Një arsye tjetër...?
Arsyeja tjetër është që ndaj këtij spostimi ideologjik, pra zbutja e qëndrimit ndaj disa vlerave të liberaldemokracisë të konservatorizmit të PD që burojnë edhe nga historia e saj, solli në mënyrë të menjëhershme që në 2009 një ulje të vigjilencës të drejtuesve të lartë të PD-së duke e filluar me trupën e ministrave dhe më poshtë me trupën e drejtorëve dhe të pjesës tjetër që kishte doza domethënëse pushteti në dorë. Për ta shtjelluar qenia në një kohë të gjatë e ministrave si në mandatin e parë dhe atë të dytë, cilësia jo shumë pozitive e qeverisjes në atë hapësirë të ministrave, drejtorëve apo dhe niveleve më të ulëta, të qenit të distancuar nga baza e anëtarësisë, madje deri në cilësi jo shumë pozitive të qeverisjes po themi në terma edhe të praktikave jo të shëndosha deri edhe korruptive politike, apo dhe më tepër sesa kaq, bëri që të ndodhë ajo që unë e quajta humbje e vigjilencës së PD-së ndaj anëtarësisë së saj. PD ka qenë gjithmonë shumë e ndjeshme ndaj zërit të bazës, madje vetë zoti Berisha ka qenë rasti më ekselent, ka qenë gjithmonë njeriu që mbante në mënyre të drejtpërdrejt kontakte me anëtarësinë. Kjo që po ju them u shndërrua në sentenca të tilla saqë rëndom në ambientet e PD-së thuhej se telefonin e hap zoti Berisha nuk e hap asnjë nga ministrat. Dhe kjo ishte një aksiomë që u vërtetua gjithmonë e më tepër. Është pikërisht, për mendimin tim, fakti i humbjes së kësaj vigjilence, humbjes së ndjeshmërisë së trupës më të lartë qeverisëse të PD-së me bazën, një nga arsyet që solli në atë dështim të 23 qershorit.
Flasim për të ardhmen e PD-së. Si e shikoni rolin e zotit Berisha në PD. Ju e dini që shumë mendojnë se ai duhet të vazhdojë të mbetet violinë e parë në PD dhe duke mos qenë kryetar i saj. Po ju si mendoni?
Jo vetëm do të mbetet, por duhet të mbetet. Unë e kuptoj që figura e Berishës jo vetëm brenda PD-së por në të gjithë ambientin politik është figura me të gjitha dimensionet më të mëdha. Faktikisht ka gjurmosur të gjithë trajektoren e historisë së demokracisë nga 90 e këtej. Për një shumicë njerëzish kjo është një gjë pozitive, ka dhe një lloj pakice që e shohin këtë si një lloj asfiksimi të zhvillimit historiko-politik të Shqipërisë, dhe një orë e më parë presin që të ketë një ndarje të menjëhershme nga figura të tilla politike.
Pra ju mendoni që nuk është mbyllur epoka e Berishës?
Sigurisht që jo, dhe nuk duhet të mbyllet. Unë po flas tani për dobishmërinë ndaj PD-së. Berisha nuk mund të ikë sepse PD nuk mund të ikë prej Berishës. E shoh në këtë lloj këndvështrimi qendrimi si një lloj garanti, si një lloj vigjilenti ndaj krijimit të figurave të reja, staturave të reja politike, nuk është më jo një dëshirë e Berishës, është një detyrim për Berishën. Për mënyrën sesi u krijua PD dhe sesi u formatua figura individuale Berishës. Dua të them me këtë rast që zoti Berisha është figura që lindi nga momenti i ndryshimit të sistemit, në mënyrë të natyrshme do të ishte një figurë e dimensioneve të mëdha dhe të pazëvendësueshme. Historia jo vetëm në Shqipëri por dhe në vende të tjera demonstron këtë gjë. Kjo ishte sa pozitive por kishte dhe negativitetin e vet se një figurë e tillë që eklipsonte pothuaj çdo gjë një figurë e tillë që ishte ajo që kuronte çdo gjë në PD dhe jo vetëm në PD por edhe jashtë dimensioneve të saj, në një farë mënyrë solli edhe rezultat që të mos ketë ende sot figura silueta politike, karaktere politike të afta që sot të vendosin një zëvendësim të postit të kryetarit të partisë. Për këtë arsye ai ka detyrimin që jo vetëm të rrijë, por është një rrjedhojë logjike dhe normale që zoti Berisha jo vetëm duhet të jetë aty, por duhet të jetë ky garanti i gjithë zhvillimeve të mëtejshme dinamike në PD.
Zoti Alibeaj ka njerëz që mendojnë se PD do ta ketë të vështirë ringritjen, ju e shikoni të vështirë aq sa ta ketë të vështirë rikthimin në pushte në 2017?
Demokracia është një rend, një rregull i cili nuk vuan se paku nga një gjë mungesa e aftësisë për të krijuar opozicion. Kjo është një aksiomë politike që është vërtetuar gjithmonë. Gjithmonë ka hapësirë për të krijuar opozitë dhe opozitarizëm. A do të jetë ky PD apo jo? Unë besoj që është e sigurt që do të jetë PD-ja. Kjo për faktin se nga zgjedhjet e 23 qershorit PD doli e humbur jo për shkak të cilësisë së qeverisjes jo për shkak të performancës së qeverisjes, se ajo në aspektin makro si në aspektin ekonomik, atë infrastrukturor në atë të politikës së jashtme, dhe në atë të hapjes së vendit apo dhënies së saj identitet në politikën rajonale dhe ndërkombëtare absolutisht është një nga perfomancat më pozitive që është arritur. E për këtë besoj unë do të duhet të jetë krenar çdokush nga demokratët madje dhe më tepër se demokrat dhe kjo është tendencë që ka për tu rritur. Kështu që në këtë aspekt PD nuk del me faqe të zezë nga 23 qershori. Absolutisht ka një problem serioz mendoj unë siç e thashë edhe më parë të organizimit të brendshëm, gjë që është lehtësisht e rikuperueshme. Me një mea culpa që do të duhet të bëjë gjithsecili jo vetëm kryetari i ri i partisë, me një analizë serioze me vendosjen dhe identifikimin e saktë të asaj çfarë nuk eci mirë në këtë organizim të brendshëm partiak në këtë arrogancë qeverisëse dhe mosmbajtjen afër të segmenteve militanteske të PD-së, unë besoj se është lehtësisht e rikuperueshme. Me një proces që do të bëjë të mundur rizgjedhjen e të gjithë atyre që aspirojnë për tu marrë me politikë, me krijimin e hapësirave dhe për flukset e tjera publike më tepër sesa politike është lehtësisht e mundshme që PD në mënyrë të shpejtë dhe të afërt të jetë opozitë jo vetëm morale siç thuhet, por edhe e numrave në popull.