Anëtarësimi në SEPA, BB: Reduktohen 10-17 herë kostot e transfertave, mbi 1 mld dollar financim shtesë për inovacionin

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Shqipëria përmes anëtarësimit në Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Pagesave (SEPA), përfiton reduktim deri në 17 herë të kostove për transfertat ndërkufitare, si dhe mbi 1 miliardë dollar financim shtesë për inovacionin.
Banka Botërore, në një postim sot në rrjetet sociale vlerëson se hartimi i legjislacionit mbi zyrat e kreditit dhe anëtarësimi i saposhpallur i Shqipërisë në Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Pagesave (SEPA), premtojnë përfitime të jashtëzakonshme për individët, bizneset dhe ekonominë shqiptare.
Banka Botërore thekson se bizneset shumë shpejt do të përfitojnë nga reduktimi i kostove 10-17 herë për transferimet ndërkufitare, shërbime financiare më të shpejta dhe më efektive, një akses më të madh në tregjet evropiane dhe mbi 1 miliard usd në financim shtesë për rritjen dhe inovacionin.
Në këtë kuadër, Banka Botërore dhe StartUpAlbania organizuan një workshop disa ditë më parë mbi risitë financiare për të nxitur rritjen e sipërmarrjes.
Banka Botërore, me mbështetjen e Sekretariatit Zviceran për Çështjet Ekonomike dhe Komisionit Europian, është një nga promovuesit kryesorë në vend për aksesin në financë, sistemet efektive të pagesave, përfshirjen dhe edukimin financiar, të cilat janë nxitës thelbësorë të zhvillimit ekonomik.
/r.e/a.f/