E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Remitancat u zhvlerësuan 40 %, rëndon mbi pensionistët

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot takim  me grupet e punës së PD-së në Lezhë.

Gjatë këtij takimi, Berisha theksoi se çmimet në vend “kanë tejkaluar Greqinë, por kanë tejkaluar edhe Gjermaninë e Italinë”.

Berisha tha se “pensionisti sot në mënyrë absolute merr të paktën 35% më pak, si fuqi blerëse se në vitin 2013. Sepse sot buka, qumështi është dyfish. Prodhimet bazë bujqësore janë 2 dhe 3-fishuar çmimi, me shifra reale”.

“Pensionistit i duhet të jetojë me 150, 120, ose 180 euro. Duhet të marrë dhe ilaçet, por po mori ilaçet nuk merr një vakt bukë, ose lë pa marrë ilaçet”, tha Berisha.

Sipas tij, Qeveria i dënoi edhe më shumë pensionistët, sepse një pjesë e madhe e pensionistëve jetonin me remitancat që tashmë janë zhvlerësuar rreth 40%.

Berisha tha se “modeli i PD-së është rritja e rrogave dhe pensioneve, me premtimin absolut, gjersa të dalim më krye të rajonit”.

“Ne fitojmë se kemi programin tonë, premtimet tona, të cilat në mënyrë absolute me shpejtësi shumë më të madhe, siç mund të imagjinojmë e përmbysin këtë situatë. E përmbysin plotësisht këtë situatë”, tha Berisha.

Duke iu drejtuar demokratëve të Lezhës, Berisha tha “nisim fushatën e fitores, fushatën elektorale e cila është e një rëndësie vendimtare për Shqipërinë, për të ardhmen dhe stabilitetin e saj”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›