E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Anëtarësimi në SEPA, Bregu për ATSH-në: Zgjeron tregun e bizneseve, kontribut edhe në turizëm

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Shqipëria anëtare në Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA), është një ngjarje e shënuar për vendin, që shënon një hap përpara në procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe ka një sërë përfitimesh të konsiderueshme për ekonominë shqiptare, bizneset dhe konsumatorin.

Ledia Bregu, Drejtore e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, se “pjesëmarrja në SEPA ka një rëndësi politike, pasi përmbush një nga objektivat e Planit të Rritjes dhe përbën një hap të parë dhe thelbësor përpara drejt integrimit”.

Në një intervistën dhënë për ATSH-në, Bregu bëri të ditur se, përfitimet e vendit nga pjesëmarrja në SEPA e kanë burimin tek premisa se transaksionet nëpërmjet skemave SEPA janë më të lira dhe më të shpejta sesa me proceset aktuale.

“Aktualisht transfertat dhe pagesat me vendet e BE dhe anasjelltas kryen nëpërmjet bankave korrespondente, një kanal i kushtueshëm dhe joefikas në terma të kohës së ekzekutimit të transaksionit, monitorimin e finalizimit të tij, transparencës së kushteve të  punës dhe mbrojtjes së konsumatorit”, u shpreh ajo.

Sipas saj, me kryerjen e transfertave nëpërmjet SEPA-s, kostoja e pagesave ndërkufitare në euro me vendet anëtare SEPA është minimalisht 5 herë më e ulët.

“Duke pasur parasysh se BE është partner tregtar kryesor i Shqipërisë, ku rreth 2/3 e tregtisë kryhen me vendet e BE-së, dhe ku njëkohësisht këto vende sigurojnë mbi gjysmën e stokut të Investimeve të Huaja Direkte në vend, përfitimet nga krijimi i lehtësirave financiare janë domethënëse për bizneset”, nënvizon Bregu.

Gjithashtu, vijoi ajo, përfitimet ekonomike nga kryerja e pagesave me efikasitet më të lartë për sa i përket kostove, kohës dhe sigurisë pritet të materializohen në zgjerimin e marrëdhënieve tregtare me vendet anëtare SEPA.

Bregu deklaroi se, “duke lehtësuar kryerjen e transaksioneve, bizneset shqiptare kanë akses në një treg të madh me mundësi për zgjerimin e shërbimeve dhe produkteve dhe rritjen e konkurrencës. Së bashku me Shqipërinë, zona gjeografike SEPA përfshin 38 shtete me një popullsi mbi 500 milionë banorë. Hyrja në SEPA i hap tregun bizneseve shqiptare për të konkurruar me produkte dhe shërbime, pasi i siguron partnerët evropianë se po marrin të njëjtin trajtim financiar si brenda Unionit. Ndërsa vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës edhe në sektorin strategjik të turizmit duke i dhënë mundësi turistëve evropianë të kryejnë pagesat në Shqipëri më shpejt dhe me kosto më të ulëta”.

Paralelisht informon ajo, pritet që anëtarësimi të ndikojë në formalizimin dhe digjitalizimin e flukseve të remitancave, për shkak të uljes së kostove të dërgimit të tyre.

Studimet e Bankës Botërore tregojnë se përdorimi i parasë fizike (cash) për transaksione kushton 1,7% të PBB-së.

Bregu thekson se, nga pikëpamja e stabilitetit financiar dhe atij ekonomik, pjesëmarrja në SEPA ofron një mënyrë për të adoptuar sisteme më moderne dhe më të sigurta të pagesave elektronike.

“Si rregullator i tregut të pagesave, ky është një objektiv i dëshiruar për Bankën e Shqipërisë. Nëpërmjet standardizimit të pagesave ndërkufitare dhe përdorimit të një teknologjie të përparuar, bëhet i mundur zhvillimi i një tregu më bashkëkohor të pagesave, në përputhje me politikat evropiane. Ai ndihmon konkurrencën në tregun e pagesave me vlerë të vogël, si dhe transparencën dhe besueshmërinë e produkteve që i ofrohen publikut për pagesat ndërkufitare”, bën të ditur Ledia Bregu, Drejtore e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë për ATSH-në.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›