Angela Merkel vizitë në Greqi, me Samaras për krizën në Eurozonë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të vizitojë Greqinë, të martën më 9 tetor. Lajmi, i dhënë fillimisht nga agjencia “Reuters”, u konfirmua më pas edhe nga zyra e kancelares.
"Angela merkel do të vizitojë Athinën dhe do të takohet me kryeministrin grek Antonis Samaras”,- tha zëdhënësi i kancelares, Steffen Zaimpert.
"Kjo është një vizitë pune", gjatë së cilës temat kryesore të diskutimit do të jenë; situata në Greqi, situata në Eurozonë, çështjet ndërkombëtare dhe marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve", shtoi ai.
Nga ana e tij, zëdhënësi i qeverisë greke Kedikoglou, e cilësoi vizitën “shumë pozitive", duke shtuar se, "e mirëpresim pranimin nga ana e zonjës Merkel të ftesës sonë”.
Pak ditë më parë, koalicioni i qendrës së djathtë të Merkel deklaroi se shpreson që të shmangë kërkesën në parlamentin gjerman për ndihma të mëtejshme për Greqinë dhe është në pritje të raportit të detajuar të situatës ekonomike të vendit helen, i përgatitur nga trojka.
Kundërshtari i Merkel, Steinbrueck e ka përjashtuar një dalje të Greqisë nga euro, një gjë e tillë ka deklaruar ai do të jetë me pasoja shkatërruese ekonomike dhe politike.
Merkel dhe funksionarë të lartë në koalicionin e saj e kanë kritikuar ashpër Athinën për dështimin në zbatimin e reformave strukturore ndaj krizës, por kohët e fundit kanë deklaruar se duan që Greqia të jetë pjesë e Eurozonës.