Krasniqi: S`jap kurrë dorëheqje

Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, nuk ka ndërmend të japë dorëheqje. Ai do të vazhdojë të qëndrojë në postin që ka dhe as nuk ka në plan që të formojë ndonjë parti tjetër.
Këto deklarata ai i ka dhënë për një gazetë kosovare, ku ndër të tjera foli për përkrahësit e tij brenda partisë dhe frikën e të tjerëve për t`i dalë publikisht në krah. Ai siguroi se do të qëndrojë në këtë post dhe se do të kundërshtojë haptazi ata që po ngufasin demokracinë brenda PDK-së.
Krasniqi shtoi se është i bindur se frika dalëngadalë do t`iu hiqet atyre që janë lodhur brenda partisë dhe se janë duke parë se çfarë po ndodh brenda saj.
Ai paralajmëroi se nëse nuk e ka përkrahjen brenda strukturave të partisë do t`i drejtohet anëtarësisë dhe votuesve. Sa u përket akuzave për personat e përfshirë në krim të organizuar, i cili këto ditë foli edhe për privatizimin dhe keqpërdorime të shumta mirëpo pa dhënë ndonjë emër, Krasniqi tha se hetuesia duhet të merret me këtë punë.
Më tej Krasniqi bëri me dije se PDK-ja është parti e degraduar nga disa zyrtarë brenda saj dhe se ai nuk ka ndërmend të heshtë.