Anglezët i fusin tmerrin EuropësKualifikohen Liverpuli, Çelsi, Bajerni e Vilareali. Jashtë Juve e Reali

Skuadrat angleze i fusin tmerrin Europës. Liverpuli eliminoi në mënyrë madhështore Realin e Madridit, ndërkohë që edhe Çelsi mbërrin në çerekfinale, pasi kaloi një pengesë jashtëzakonisht të vështirë si Juventusi. Bajerni me fitoren e jashtëzakonshme 7-1 kundër Sportingut të Lisbonës, e Vilareali me fitoren në Athinë kundër Panathinaikosit, vendosën kandidaturat e tyre në rrugën e vështrirë drejt finales së Romës.
JUVENTUS-ÇELSI 2-2 – Vicenco Iakuinta realizoi në minutën e 19-të, pas një kombinimi perfekt me Trezegenë. Ikauinta pasoi me thembër te Trezege, francezi e drejtoi sërish te juventini, që i lirë përballë Ceh me gjakftohtësi i çoi shifrat në 1-0. Gjithçka dukej mbarë për italianët, por pikërisht në minutën e parë shtesë, Lampard goditi shtyllën dhe aty ganezi Mikael Esien vulosi shifrat në 1-1. Në minutën e 71-të, Juventusi mbeti me dhjetë lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë të Kielinit. Në të 74’, Del Piero fitoi mjeshtërisht një penallti, pasi më parë kishte ekzekutuar një goditje të lirë, por të ndaluar me dorë nga Beleti, i cili ishte në murin e Çelsit. Legjenda bardhezi shënoi, por Didier Drogba, njeriu që u dha londinezëve fitoren në “Stamford Brixh”, realizoi golin e barazimit 2-2 në minutën e 83-të, pikërisht pas pasit të brazilianit Huliano Beleti.
LIVERPUL-REAL MADRID 4-0 - Ëndrra “Champions” përfundoi shumë shpejt edhe për rekordmenët absolutë të Europës, Realin e Madridit. “Mbretërorët” pësuan humbjen e dytë rresht me Liverpulin pas asaj në Madrid (0-1). Të “Kuqtë”, të udhëhequr mjeshtërisht nga spanjolli Rafa Benitez, dominuan totalisht në “Anfield”. Ndëshkuesi i parë i 9-herë kampionëve të kontinentit ishte sulmuesi iberik, Fernando Torrez. “El Ninjo” shënoi në minutën e 16-të pas një asisti të holandezit Dirk Kajt. Kapiteni Stiven Xherard kompletoi kryeveprën e “kuqe”: në të 28’ me penallti dhe në të 47’ me një goditje të bukur, pas asistit të Rajan Babelit. Zëvendësuesi i Fernando Torresit, Dosena, shënoi golin e katërt në 88’, duke çuar në delir 45276 shikuesit në “Anfield Road” (plotësisht i shitur)”.
BAJERN-SPORTING 7-1 – Njëra nga ndeshjet më të lehta që është parë në fazën e 1/8-ave në Ligën e Kampioneve, nisur edhe nga fakti se gjithçka ishte mbyllur dy javë më parë në Portugali, me atë fitore të pabesueshme 5-0 të gjermanëve. Skuadra e Jurgen Klinsmanit zhvilloi testin e radhës, duke shënuar 6 gola në “Alianc Arena”, por duke lejuar miqtë luzitanë të shënojnë golin e nderit. Lukas Podolski (8’ e 34), autogoli i portugezit Anderson Polga (39’) pas goditjes nga këndi të Bastian Shvajnshtajgerit, teksa ky i fundit ishte dhe autori i golit të katërt (43’), Van Bomel (74’), Kloze me 11-metërsh në të 82’ dhe Myler (90’) ishin dhe autorët e tjerë të goleadës bavareze. Kapiteni i Sportingut, Zhoe Mutinjo, realizoi një gol shumë të bukur, me një goditje nga 28 metra.
PANATHINAIKOS-VILAREAL 1-2 – Panathinaikos nuk arriti ta shfrytëzonte faktorin fushë për më shumë se 45 minutat e para të bardha. Ibagaza me golin e tij katër minuta nga fillimi i pjesës së dytë (asist i Kapdevilës) ishte vrasësi i “tërfilave”. Manzios barazoi në minutën e 55-të pas asistit të Jorgos Karagunis, por Lorente në të 70’ mbylli llogaritë e kualifikimit.
E Merkure, 11 Mars 2009